E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmanget atentati kundër Barak Obamës - Arrestohen neonazistët

Një javë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA, autoritetet amerikane duket se kanë arritur të shmangin një atentat kundër Barak Obamës.

Në shtetin federal Tenesi, u arrestuan dy burra, të cilët planifikonin një gjakderdhje në radhët e popullsisë me ngjyrë, dhe vrasjen e kandidatit demokrat për president, Barak Obamës. Policia ndaloi gjatë një kontrolli rutinë në qytetin Almo, në shtetin e Tenesit, automjetin e dy të rinjve, 18 dhe 20 vjeç. Në bagazhin e makinës ishin fshehur shumë armë, njoftoi kanali televiziv CNN.

Agjentët specialë të policisë federale, përgjegjës për armët dhe lëndët shpërthyese, zbuluan një pushkë, tre pistoleta dhe një pushkë gjahu. Dy naziskinët deklaruan se, me këto armë, ata kishin qëllim të vidhnin një dyqan armatimesh për t'u armatosur rëndë. Me armët e siguruara ata synonin të shkaktonin një masakër në një shkollë, e cila frekuentohet kryesisht nga të rinj me ngjyrë. 102 nxënës duhej të ekzekutoheshin me armë zjarri, apo me prerje koke. Ky ishte plani i dy të rinjve, të cilët e cilësojnë veten racistë të bardhë. Më pas, ata do të shkonin në një miting elektoral të kandidatit demokrat Barak Obama, për të qëlluar mbi të nga dritarja e makinës së tyre, njoftojnë agjensitë e lajmeve dhe kanali televiziv CNN.

Vrasja e kandidatit me ngjyrë për president, Barak Obama, sipas fjalëve të radikalëve të djathtë, do të ishte finalja e masakrës në rradhët e afroamerikanëve. Dy naziskinët, të cilët ishin njohur përmes forumeve të radikalëve të djathtë në internet, e shohin veten si atentatorë vetëvrasës dhe kishin llogaritur edhe vdekjen e tyre në atentatin e planifikuar kundër Obamës, njoftoi CNN.

Dy të rinjtë e arrestuar do të paditen për mbajtje armësh të paregjistruara, plane për vjedhje të armëve të zjarrit dhe për kërcënim të një kandidati për president. Të enjten, ata do të dalin sërish përpara gjykatës së shkallës së parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›