I verbër, me një krah, në gjyq për mbjellje droge
SHKODËR – Trupi gjykues priste të shihte të pandehurin, e akuzuar për kultivim narkotikësh, por prania e tij ishte e pamundur, sipas avokatit mbrojtës, të caktuar po nga gjykata, për shkak se i pandehuri nuk i kishte mundësitë për të paguar vetë një avokat. Por 81-vjeçari Kolë Guri, me statusin invalid (është me një krah dhe gjithashtu i verbër), nuk u paraqit dje para togave të zeza, për t’u përballur me akuzën e ngritur ndaj tij. Si rrjedhojë, nga prokurori u kërkua shtyrja e seancës gjyqësore në një datë tjetër, për t’i dhënë mundësi të pandehurit të prezantohej para trupit gjykues dhe të shprehej lidhur me pamundësinë për të marrë pjesë në procesin e ngritur kundër tij, për kultivim të lëndëve narkotike. Nga ana e mbrojtësit ligjor, në fakt, u kërkua që procesi të vazhdonte në mungesë, për shkak se klienti i tij invalid, kishte probleme shëndetësore, dhe nuk kishte mundësi që të ishte i pranishëm gjatë seancave që do të zhvilloheshin, megjithatë, kjo kërkesë u hodh poshtë. Kolë Guri u kërkua të vinte në seancën tjetër gjyqësore dhe si rrjedojë, gjyqi u shty.
Rastet
Duket se marrja përsipër e të moshuarve për akuzat e kultivimit të lëndëve narkotike, ka filluar të kthehet në një fenomen të shpeshtë. “Ligji është i barabartë për të gjithë”, thuhet në Kushtetutë, por duket se kjo barazi, lidhur me kultivimin e drogave, po shpëton nga ndjekja penale kultivuesit e vërtetë dhe po vë në pranga personat që, në fund të fundit, nuk kanë asgjë për të humbur nisur dhe nga mosha e tyre. Kështu, tipik është rasti i Lena Martin Prendit, nga fshati Mazrek, e cila, pavarësisht se është shumë e moshuar, është dënuar disa herë për kultivim të lëndëve narkotike. Qamile Selim Mati, nga Kosmaçi, 74 vjeçe, apo Gjon Marash Marku nga Temali, 77 vjeç, janë disa prej të moshuarve ndaj të cilëve është ngritur e njëjta akuzë. Apo, rasti i dy vëllezërve nga fshati Vilëz i Shllakut, edhe këta të akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, ku, Ndue Zojza është 80 vjeç dhe i verbër prej disa vitesh, ndërsa i vëllai Nikë Zojza, 75 vjeç, prej 7-8 vitesh është larguar nga Vilëza e jeton në tjetër vend. Sipas statistikave, nga rreth 30 vetë të gjykuar në këto vite për kultivim narkotikësh, 50% i përkasin moshës 60-70 vjeç apo edhe 80-85 vjeç.
Ligji
Sipas drejtorit të policisë së qarkut të Shkodrës, Nikolin Bala, bazuar në procesverbalet e përbashkëta të hetimit të policisë gjyqësore, asaj të antidrogës, si dhe prokurorisë, autorët, pavarësisht nga mosha, janë të barabartë para ligjit, përfshi këtu edhe të moshuarit, të cilët marrin mbi vete përgjegjësinë e plotë mbi veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. “Ne, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, kemi punuar në drejtim të luftimit të këtij fenomeni dhe vënien para ligjit të personave që kultivojnë kanabis, veçanërisht në zbulimin e autorëve për rastet e mbjelljes në parcela pa pronar, në tokë të shpyllëzuar rishtas”, ka deklaruar Bala. Megjithatë, duket se rëndësi ka vetëm që dosja të mos mbetet pa autor, pasi deri më tani nuk rezulton të jetë shqyrtuar fakti nëse këta autorë kanë mundësi për ta kryer këtë vepër penale apo jo, megjithëse toka u përket atyre.