E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fara e dëmtuar prodhon domaten e frikshme

INTERVISTA/ Avokati Kozma Jano shprehet se përgjegjëse për farën e domates rezulton të jetë një shoqëri izraelite

Janë rreth 30 fermerë të cilët pritet të jenë paditësit për problemet që janë shfaqur me prodhimin e tyre bujqësor

LUSHNJË – “Domatja ështëe tillë, që po ta shikoni, nuk do të hani më kurrë domate”. Janë këto fjalët me të cilat avokati Kozma Jano përshkruan problemin e farës së domates së shfaqur në fshatin Goriçaj të rrethit të Lushnjës. Ai rrëfen për gazetën “Shekulli” se ditën e hënë në zyrën e tij janë prezantuar rreth 30 fermerë, të cilët kanë kërkuar që ai të ndjekë çështjen e tyre, për dëmet që u janë shkaktuar në kulturën e domates, pasi fryti i korrur është i pangrënshëm dhe i patregtueshëm për vetë faktin se fara ka qenë e dëmtuar. Jano shprehet po pritet thjesht plotësimi i dosjes për të nisur hapat e parë ligjorë për të kërkuar dëmshpërblim.

Avokat, ç’mund të na thoni lidhur me skandalin e domates?

Personalisht po pres që të hap procesin gjyqësor dhe jemi thjesht në hapat e fundit për plotësimin e dosjes. Kemi të bëjmë me një farë domate të ardhur nga Izraeli dhe i shitur nga një shtetas, i cili e ka prezantuar veten si përfaqësues të firmës izraelite.

Ku qëndron problemi për të cilin do të ankoheni?

Tek kokrra e domates. Po ta shikoni, do të trembeni. Në fakt, të hënën, rreth 30 fermerë erdhën për të më treguar për këtë problem dhe nxorën nga çanta domatet që kishin sjellë me vete. Mund t’ju them vetëm se po t’i shikoni, nuk do të hani më domate. Aq të frikshme ishin.

Për çfarë bëhet fjalë?

Fermerët kanë blerë farën e domates dhe më pas e kanë kultivuar atë. Por ndryshe nga ç’pritej, ishte një domate jashtë standardeve, e cila shkon në 1 kilogramë dhe është me tre ndarje brenda. Shkurt, është e patregtueshme qoftë brenda, qoftë jashtë vendit. Ndërsa fermerët e kishin blerë për ta tregtuar.

Ç’prisni aktualisht për të nisur procesin?

Fermerët kanë kërkuar edhe ndihmë nga Drejtoria e Bujqësisë në Lushnjë, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë fakt. Si pasojë, e vetmja gjë që pritet janë disa konfirmime lidhur me shoqërinë izraelite. Por deri më tani kemi vetëm tregtarin që pretendon se është përfaqësues i shoqërisë izraelite, në një kohë që duhet të shohim edhe regjistrimin përkatës të saj.

Padia do të ngrihet kundër shoqërisë?

Po, do të ngremë një padi kundër shoqërisë që ka shitur farën e domates.

Sa është dëmi i shkaktuar dhe sa janë personat e dëmtuar?

Me një përllogaritje të thjeshtë të bërë prej meje rezulton se dëmi që iu është shkaktuar fermerëve shkon tek rreth 180 milionë lekë të vjetra, që është një shifër shumë e lartë për ta, dhe ku nuk përfshihen paratë e shpenzuara prej tyre për të kultivuar bimën. Bëhet fjalë për rreth 30 fermerë, që u prezantuan tek unë, por ka edhe të tjerë të cilët do t’u bashkohen.

A e dini se sa është zona që ka pasur probleme të tilla me domaten?

Deri tani mund të themi vetëm për fermerët e fshatit Goriçaj, pasi ata e kanë blerë farën e domates tek kjo shoqëri. Nuk e di nëse ka edhe zona të tjera me këtë problem.

PROBLEMET

Domatja e deformuar, pas misrit pa kokrra

Fara e dëmtuar e domates ka sjellë probleme në fshatin Goriçaj të rrethit të Lushnjës. Me një lëkurë të hollë, me deformime dhe jashtë peshës “normale” të një kokrre domate ka qenë i gjithë prodhimi i sivjetshëm për fermerët e këtij fshati. Të trembur nga fakti se asgjë nuk do të shitet dhe se gjithë puna e tyre do të shkojë dëm, ata kanë vendosur t’i drejtohen rrugës ligjore për të marrë dëmshpërblim për prodhimin e keq. Fara e keqe e domates nuk është rasti i parë në vend i regjistruar për fermerët. Pak muaj më parë, misri pa kokrra ishte një nga problemet më të mëdha për bujqit, që preku një hapësirë të madhe në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›