E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çdo muaj 500 vetë tentojnë të lënë Shqipërinë

EMIGRIMI/ Gjatë periudhës qershor – tetor janë shkatërruar katër rrjete të mirorganizuara të trafikut të klandestinëve

GJIROKASTËR- Vazhdojnë të mbeten të larta shifrat e emigrantëve klandestinë që tentojnë të largohen nga Shqipëria dhe të futen ilegalisht në Greqi nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit në qarkun e Gjirokastrës. Shifrat e bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit e tregojnë më së miri këtë fakt. Në periudhën qershor- tetor, vetëm nga shërbimet e policisë kufitare shqiptare janë kapur dhe kthyer mbrapsht 1905 shtetas që kishin si qëllim largimin drejt Greqisë në mënyrë të paligjshme. Një pjesë e këtyre shtetasve, të cilët për të disatën herë kanë kryer veprën penale të “kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror”, janë proceduar dhe po ndiqen në gjendje të lirë. Ndërkaq, po i lartë mbetet edhe numri i të riatdhesuarve nga policia greke, kryesisht nëpërmjet Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës. Megjithatë shifrat e tyre nuk bëhen të ditura zyrtarisht. Burime policore janë shprehur se një numër i lartë trafikantësh janë vënë në pranga, ndërsa 4 rrjete të mirorganizuara të trafikut të klandestinëve janë shkatërruar përgjatë kësaj periudhe. Në funksion të frenimit të këtij fenomeni, policitë homologe të dy qarqeve, të Gjirokastrës e Janinës, në periudha të ndryshme kanë ndërmarrë operacione të përbashkëta me afat të shkurtër kohor. “Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, trafiqeve të paligjshme, qenieve njerëzore, lëndëve narkotike dhe trafikimit të fëmijëve”, që kanë synuar goditjen e trafikimit të qenieve njerëzore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›