Grabitja 180 milionëshe, zbulohet një prej autorëve
ELBASAN- Pesë muaj pas grabitjes së bujshme të regjistruar në Durrës, policia e Elbasanit ka arritur të identifikojë një prej autorëve duke e shpallur atë në kërkim. Burime të bluve bëjnë të ditur se një ditë më parë shtetasi i dëmtuar Ç.K., 60 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 1 në Durrës ka bërë një kallëzim për të cilin prokuroria ka regjistruar procedimin penal. Grabitja e bujshme ka ndodhur në 8 qershor të këtij viti në orët e para të mëngjesit kur tre persona e kanë goditur me levë dhe i kanë marrë 180 milionë lekë të vjetra.Është dashur të kalojnë disa muaj që pistat e hetimit për autorësinë të përqendrohen në Elbasan. Menjëherë pas regjistrimit të kallëzimit, policia në bashkëpunim me prokurorinë zbuluan dhe identifikuan njërin prej autorëve të kësaj ngjarjeje. Për shkak të hetimit, bëhen të ditura vetëm inicialet e tij, A.S.,ndërsa uniformat blu janë vënë në kërkim. Pritet që brenda disa orësh të realizohet arrestimi. Grupi hetimor po punon edhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve në këtë grabitje. Pas vjedhjes, viktima u shtrua në spital me dëmtime të rënda, ndërsa grabitësit morën 180 milionë lekë dhe u larguan pa lënë shumë gjurmë. Një grabitje e ngjashme u regjistrua gjatë muajit shtator në Elbasan, ku mbeti i dëmtuar një kambist. 5 persona arritën t’i grabisnin 25 milionë lekë, duke e goditur kambistin elbasanas në kokë. Por mjaftuan pak ditë për zbardhjen e autorësisë, ndërsa ngjarja e Durrësit kërkoi plot 5 muaj që hetimet të çonin në një emër konkret. Hetuesit deklaruan se kanë zbuluar dhe dokumentuar prova për njërin prej autorëve të grabitjes.