Shkrihet PDR, Pollo rikthehet te Berisha
Tiranë- Firmoset marrëveshja për bashkimin e Partisë Demokratike të Reformuar (PDR) me Partinë Demokratike. Dy liderët e partive, Sali Berisha dhe Genc Pollo kanë firmosur pak minuta më parë marrëveshjen që zyrtarizon bashkimin, duke e konsideruar atë një sukses, pa mohuar kontributin që pritet pas kësaj për mazhornacën në zgjedhjet e 2009-ës.
Genc Pollo në fjalën e tij ka deklaruar se bashkimi vjen pas propozimit të Berishës dhe ka qenë i mirëpritur nga anëtarët dhe Partia Popullore Evropiane ku dy partitë aderojnë.
Duke pranuar se konteksti politik ka ndryshuar dhe se nuk ekzistojnë dallimet mes partive, Ppollo ka theksuar se procesi për bashkimin do të përfshijë partitë dhe degët e rretheve. “Degët tona do të bashkëpunojnë sipas një programi të rënë dakord për ta arritur shkirjen në atë nivel dhe për të vazhduar më tej. Procesi do të mbyllet në fillimet e vitit 2009. Ky është proces pozitiv dhe një kontribues më shumë për mazhornacën në zgjedhjet e 2009-ës”- ka thënë Pollo.
Të shumëpritur e ka quajtur lajmin e bashkimit, edhe Berisha, për të cilin bashkimi, shkrirja e dy forcave politike ka në bazë kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët. Vizion, që ai e ka cilësuar vizion të madh suksesi.
“Këtë lajm e mirëpresin, jo vetëm e djathta shqiptare dhe qendra e djathtë, por mbarë shqiptarët. Është thellësisht i mirëpritur nga të gjitha partitë simotra që qeverisin sot në 16 vende anëtare të BE-së. Ishte ky lajm që kryesia ePartisë Popullore Evropiane priste nga partitë tona. Natyrisht nuk mund të injorohet se si vit elektoral që është kjo përbën një përgatitje shumë të rëndësishme për suksesin në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit aktual qeverisës”- tha ai.
Në takimin e marrëveshjes kanë qenë edhe Tritan Shehu për PDR-në dhe Ritvan Bode për PD-në. Pas marrëveshjes, dy liderët i dhanë duart njëri-tjetrit, ndërkohë që premtuan edhe shpërndarjen e deklaratës së marrëveshjes. Në Kongresin e PD-së, të vitit 1999, Pollo kandidoi për të marrë postin e kreut të PD-së përballë drejtuesit të atëhershëm dhe të tanishëm të demokratëve Sali Berisha. Por në këtë garë të brendshme fitoi Berisha dhe Pollo pretendoi për presion ndaj delegatëve dhe kështu u largua nga PD. Pas këtij largimi, Pollo krijoi Partinë Demokrate të Re pjesë e së cilës u bënë edhe anëtarë të tjerë të PD-së, si Tritan Shehu.