E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shnajder e Roben binjakët “kundërshtarë” të Holandës

TIRANE- Shnajder e Roben, Roben e Shnajder. Janë ata dy udhëheqësit e Holandës, e cila më 11 korrik do të luajë për herë të tretë një finale të Kupës së Botës. Dy “xhevahirët” portokallinj janë si dy binjakë të ndryshëm. Një vit më parë u larguan si të pavlefshëm nga Reali i Madridit, gjë që në fillim u duk si një dështim. Por, në fakt kjo ndikoi që ata të zhvillonin sezonin më të mirë të karrierës së tyre, aq sa tani do të luftojnë me njëri-tjetrin për të fituar Topin e Artë.
Shnajder
Fantazisti i Interit shihet si kandidati më i rëndë për momentin, për të marrë çmimin më prestigjioz në karrierën personale në kontinentin e vjetër. Me fanelën zikaltër ai fitoi gjithçka: Champions League, titullin kampion dhe Kupën e Italisë. Ndërsa tani, në Botëror, ka shënuar 5 gola dhe është zgjedhur 4 herë në 6 ndeshje si futbollisti më i mirë në fushë nga FIFA. Duket se i ecën gjithçka për së mbari, teksa pas golit ndaj Brazilit, që pati një devijim të rëndësishëm nga Felipe Melo, ai arriti të shënonte një tjetër gol po aq të rëndësishëm ndaj Uruguait. Edhe këtë herë, topi u prek nga shumë lojtarë, në fund u duk se u devijua pak edhe nga Van Persi, i cili ishte në pozicion të lehtë jashtë loje. Por, Shnajder është nga ata që fatin e kërkon, sepse në ndeshjet që kanë më shumë rëndësi, di të nxjerrë gjithnjë më të mirën nga vetja, duke gjetur lojën që vlen sa një sezon. Pas ndeshjes, ai thotë: “Një vit shumë i bukur, më mungon ende një ndeshje, të cilën duam ta fitojmë. Pastaj do të flasim për gjërat e mira”. Në lidhje me argumentin “Topi i Artë”, kur pyetet se ai rivalin mund ta ketë pikërisht në shtëpi (Roben), Uesli jep një tjetër asist: “Po, edhe ai ka jetuar një vit të mrekullueshëm”. Gjithsesi, Shnajder ia shkatërroi një pjesë të këtij viti, duke e mundur shokun e tij të ekipit në finalen e Champions League në Madrid, ndeshje ku Interi fitoi Kupën pas triumfit 2-0 ndaj Bajernit të Mynihut.
Roben
Mesi, Milito, Vija, Myler e Ksavi duhen ruajtur gjithnjë, por kundërshtari më i fortë i Shnajder në betejën për “Topin e Artë” quhet Arjen Roben. Sidomos nëse ky i fundit shënon një gol deciziv në finale, dueli mund të ashpërsohet. Roben ka fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, ndërsa arriti deri në finale të Ligës së Kampioneve, një kompeticion ku ishte protagonist. Ndaj Uruguait shënoi një gol me kokë, jo tamam specialiteti i tij. Madje e shënoi vetëm pak minuta pas golit të Shnajder, si për të treguar se ai është shumë pranë. Pas ndeshjes ai thotë se është mirë, se është rikuperuar shpejt, por ende nuk është në maksimum. I pyetur nëse ajo me Uruguain ishte ndeshja më e rëndësishme e karrierës, Arjen Roben shtyn gjithçka për takimin final. Ashtu si Shnajder.
Komentet
Për momentin Shnajder duket i avantazhuar në krahasim me shokun e tij të skuadrës te Holanda, si për shkak të golave të shënuar, ashtu edhe për trofetë e fituar. Të humburit e gjysmëfinales së të martës, uruguajanët, e mbyllin në barazim këtë sfidë. “Shnajder është shumë i zoti dhe mund ta meritojë Topin e Artë, por mua më impresionoi më shumë Roben”, shprehet Kavani, sulmuesi i Uruguait. E menjëhershme replika e portierit Muslera: “Mua gjithnjë më ka pëlqyer Shnajder”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›