E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shnajder e Roben, miq dhe rivalë Ish-skarcot që tani duan botën

Dueli Të larguar nga Reali, kanë dominuar sezonin, duke fituar gjithçka me Interin dhe Bajernin

Shnajder e Roben, Roben e Shnajder. Janë ata udhëheqësit e Holandës së 11 korrikut, që do të luajnë finalen e Kupës e Botës. Xhevahiret e “oranje” janë binjakë të ndryshëm. Janë shkarkuar, të dy, verën e kaluar nga Real Madrid, ku dukeshin si dështime, ndërsa në fakt kurorëzuan në sezonin më të mirë të tyre të të gjitha kohërave, atë në të cilin “rrezikojnë” të luftojnë shpatull më shpatull për “Topin e Artë”. Kampioni interist shikohet si kandidati më potencial, për momentin, për çmimin individual më prestigjioz të Kontinentit të Vjetër, pasi ka fituar gjithçka me Interin: Champions League (si më i miri njeri-asist), Serinë A dhe Kupën e Italisë. Dhe tashmë, në Botëror, ka realizuar pesë gola, golashënuesi më i mirë bashkë me spanjollin Vija, dhe është zgjedhur 4 herë në 6 ndeshje më i miri në fushë. Pas golit me shumë fat ndaj Brazilit, ka ardhur dhe një tjetër rrjetë me peshë dhe me shumë fat ndaj Uruguait, ai i 2-1, që kaloi mes shumë këmbëve e devijimeve, përfshij atë të Van Persit në pozicion jashtë loje. Por Shnajder fatin edhe e kërkon, sepse në ndeshje që vlejnë më shumë, di edhe të jetë vendimtar. Robenin ai e ka mundur në finalen e Championsit, kur Interi fitoi ndaj Bajernit të Mynihut. Ndërsa Roben, edhe pse janë gjithnjë, Mesi, Milito, Vija, Myler e Ksavi, që duhen mbajtur nën vëzhgim, është kundërshtari më i frikshëm. Ka fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, ka luajtur në finalen e Championsit dhe se ka shënuar me kokë ndaj Uruguait, që nuk është pikërisht specialiteti i tij. Shnajder duket në avantazh, për momentin, për numrin e trofeve të fituar dhe golave në Botëror. Kavani thotë se: “Shnajder është shumë i aftë dhe mund ta meritojë Topin e Artë, por më ka impresionuar më shumë Roben”. Replikon Muslera: “Mua më ka pëlqyer gjithmonë Shnajder”. Të martën kanë shënuar që të dy.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›