E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fostoksinë, që minjtë të mos delegjitimojnë grevën e bollëkut

Ditari online i deputetit disident të çadrës së jugut

“S’ke për ta besuar kurrë moj grua, ç’ndodhi ditën e shtatë në çadrën tonë të jugut, që siç të kam thënë në pllaçuritjen tonë elektronike të ditës së djeshme, është çadra më e fisme e Bulevardit. Alarmin e dha e para Shegushi, e cila me gjithë vitet e shkuara, është më e freskëta ndër të gjithë (është një enigmë e përbashkët mjaltëz, se si po e rigjeneron veten ajo femër). Ia pat një piskame që tronditi të madh e të vogël ndër dyqindëshen e petritave e sokoleshave të çadrave: “Minjtëëëëëë....”. Nuk kishte faj, mjaltëz (s’po të them pse mundem ta nxjerr pseudonimin tonë me zë stomaku, pasi janë hapur llafet se Koçoja ka instaluar një aparaturë, që na përgjon korrespondencën) se nuk ishte një mi, por ishin një familje e tërë minjsh. Dhe ti e di, jo familja jonë pesëanëtarëshe, por nga ato familjet pesëmbëdhjetëshe që rekomandonte atëhere komandanti. Qiraxhinjtë-minj po vinin që të gjithë nga çadra që përdoret rëndom nga Ilir Beqja, kur ka ndonjë raportim partie me Eduard Shalësin dhe Arben Ahmetajn. Nuk nxitonin fare. Dukeshin krejt të ngopur e të qetë. Një greviste ish-pronare, e mësuar me këto punë, klithi: “Ndalojini se e morën vesh gazetat, e botoi “55”-a dhe u turpëruam. Do na zbulohet ushqimi”. Pa t’u formua një rreth i madh grevistësh, moj grua, që me energjinë e alarmit e të turpit së bashku, krijoi një mur të pakapërcueshëm nga brejtësit e shkretë. Rrethimi u ngushtua dhe po të njoftoj se për familjen e papërshtatshme të minjve është krijuar burgu më i vogël i botës. është një izolim çantash në çadrën ngjitur me tonën, pasi s’bëhej fjalë që minjtë të qendronin nën të njëjtën çati me Shegushin. Sa u siguruam se minjtë u izoluan, iu turrëm atij grevistit prej Kasharit, atij që të thashë pardje se e kishte ngarkuar vetë kryetari që të merrej me pastrimin e thërrmijave ushqimore. “Ku i ke trutë, more katundar, do edhe punë ti, do edhe pushtet ti... Desh na more në qafë të gjithëve”. Më fort bërtiste Gramoz Ruçi, i gjendur aty për inspektim, i cili ia dinte rrezikun këtij sekreti. “E bëre proçkën, zgjidhe urgjentisht tani!”. I tmerruar, ca nga e ngrëna me vështirësi e ca nga turma që i ishte hedhur në grykë, mezi shqiptoi: “E zgjidh unë, më punon babai në fitofarmaci”. “Sa e ka numrin”, klithi shoku Mozi, “se ju katundarët e Shqipërisë së Mesme i merrni me nge punët, jo si ne malësorët - të jugut, merret vesh”. I ra ziles me të rëndë dhe i briti: “Urgjentisht fostoksinën tek djali. Gramoz Ruçi jam”. ç’të të them mjaltëz, fostoksina erdhi tre orë më vonesë, se pas gjysmë ore, pasi kishte dalë nga gjendja e të fikëtit, kasharsi i shkretë e ktheu telefonatën mbrapsht, për ta pyetur se kush ishte. Kur erdhi fostoksina, qe tjetër histori. Shoku Gramoz dha urdhër të prerë që fostoksinën ta konservonte veç Ilir Beqja, dhe që për asnjë rrethanë të mos i thuhej shoqes Olta, e cila s’po e merrte dot veten nga të qarët dhe depresioni, që kur i ra në dorë një gazetë “55”, e cila e paralajmëronte se do të duhej të peshohej, sapo të dilte zyrtarisht nga greva, pasi kishte marrë ca si shumë kile. S’ka faj e shkreta, është mërzitur shumë. Bile thonë se mërzia është ngjitëse, pasi dje iu ngjit edhe kryetarit, i cili vrapoi për ta shkarkuar në Paris. Tek ai shoku i vet i vjetër, e di ti mjaltëz, të mos them emra tani, se ta thashë atë punën e përgjuesit të Koços.
ç’të të them tjetër mjaltëz për këtë ditë të shtatë të qetë, e cila na ka dhënë energji, për shkak të rënies së masave mbrojtëse ndaj ushqimit (të mos i kthehem më çështjes së thërrmijave ushqimore). Ah, po, se desh harrova, dëgjoj në televizion atë deputetin e Tiranës me zë të hollë. Dieta i bëka shumë mirë, se i dhënka tendencën e trashjes së zërit. Ndoshta e ka dieta, se s’di ç’shpjegim tjetër t’i jap, mjaltëz. E pyeta edhe Beqjen, edhe Gaçin, por të dy u skuqën dhe ngritën sytë, njësoj si unë.
U lodha me këtë komunikimin on-line, moj grua. Të thashë, se në këtë ditë të shtatë na kanë hipur energjitë të gjithëve. Do Zoti, e kryetari kthehet shpejt nga Parisi e na nxjerr të gjithëve nga burgu.
Bacio! A presto!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›