Hapen kutitë e para, PD pranë fitores së komunës në Ballagat
Rezultatet e para të numërimit të votave nxjerrin më pranë fitores kandidatin e PD-së, Serbet Sharka përballë rivalit të tij socialist, Neshat Sharka. Në numërimin e dy kutive të para të QV-ve rezulton se kandidati i PD-së ka marrë 535 vota në total ndërsa ai i PS gjithsej 202 vota. Kjo diferencë prej 334 votash mësohet se do t’i krijojë mundësinë kandidatit Serbet Sharka për t’u shpallur kryetar i komunës së Ballagatit. Kjo për faktin se QV e tjera kanë një numër të pakët zgjedhësish, çka nuk ndikon në përmbysjen e rezultatit. Në këto votime të pjesshme për kreun e komunës morën pjesë 51% e zgjedhësve. Sipas KZAZ-së, 2550 zgjedhës gjithsej u ndanë në tetë qendra votimi për të zgjedhur kreun e ri të komunës. Zgjedhjet e pjesshme në komunën e Ballagatit në rrethin e Lushnjës kanë qenë të qeta. Qysh në orët e para të mëngjesit situata është paraqitur e qetë dhe e gjithë infrastruktura e votimit ka qenë gati. Kësisoj në orën 07.00 janë hapur kutitë e votimit. Kjo komunë me 2550 votues voton pas shkarkimit nga puna të ish-kryetarit të mëparshëm Fatos Sharka. Ndërkohë dy kandidatët që garojnë për kreun e komunës së Ballagatit vijnë nga dy forcat e mëdha politike Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Për Partinë Demokratike kandidon Serbet Sharka, ndërsa për Partinë Socialiste kandidon Neshat Sharka. “Nuk kemi pasur probleme dhe deri tani situata po paraqitet tepër normale. Gjithçka është nën kontroll. Qytetarët kanë ardhur me radhë për të dhënë verdiktin e tyre dhe pjesëmarrja në votime deri në orën 15.00 ka qenë 47%”, ka deklaruar anëtari i komisionit, Vait Sharo. “Ajo që duhet thënë është se janë emëruar dhe janë trajnuar të gjithë anëtarët e grupit të numërimit, i cili nis punën me përfundimin e votimit, pra me mbylljen e kutive. Themi se çdo gjë do të shkojë mirë. Dita e hënë pritet të na japë edhe kryetarin e ri të komunës që do të drejtojë deri në vitin 2011”. Ndërkohë, kujtojmë se ish-kryetari Fatos Sharka fitoi si kandidat i pavarur në zgjedhjet vendore të 2007, për faktin e vetëm se nuk pranoi koalicionin PS-LSI. Ai ishte anëtar disavjeçar i Partisë Socialiste në Lushnjë dhe Ballagat. Fitorja nuk zgjati shumë, pasi u akuzua për shpërdorim detyre dhe Gjykata e Lushnjës e dënoi me 2 vjet burgim dhe 300 mijë lekë gjobë”. m.r