Arrestohet shoferi, shpallen në kërkim dy doganierë të Kakavijës
Shpallen në kërkim dy doganierë të Doganës së Kakavijës, ndërsa një shofer kamioni që transportonte mallra ushqimorë kontrabandë ka rënë në prangat e policisë. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Gjirokastër bënë të ditur se është prangosur Renato Tushe, 43 vjeç, i cili drejtonte një kamion tip "Volvo" me targa TR 18 80 R, pasi është kapur teksa tentonte të kalonte kontrabandë një sasi të konsiderueshme mallrash të ndryshme ushqimorë. Ndërkohë që jepen hollësitë për drejtuesin e mjetit të arrestuar dhe kamionin me të cilin është realizuar veprimtaria e jashtëligjshme, nuk bëhet të ditur emrat e doganierëve të shpallur në kërkim. Mësohet se ndaj tyre rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës". Ndërkaq burimet e policisë saktësojnë se në momentin e kontrollit, kamioni ishte duke lëvizur drejt Tiranës në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Tepelenë dhe është ndaluar në hyrje të qytetit të Tepelenës. 43-vjeçari nga Gjirokastra është shoqëruar nga ekspertët e sektorit të luftës kundër krimit financiar për në ambientet e Doganës së Kakavijës për të bërë verifikimet e dokumentacionit të zhdoganimit të mallit. Në momentin që janë ballafaquar të dhënat që mbante me vete drejtuesi i mjetit me ato të sistemit elektronik në Doganën e Kakavijës, rezultoi se praktika shoqëruese e mallit që dispononte drejtuesi i automjetit ishte e falsifikuar dhe në sistemin elektronik në doganë nuk ishte hedhur asnjë e dhënë që tregonte se ky automjet ishte zhdoganuar. Pasi u bënë verifikimet në Sistemin TIMS të Policisë Kufitare, në pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavijë dhe të kamerave të doganës, rezultoi se ky automjet kishte hyrë nga Greqi për në Shqipëri rreth orës 16:43 të datës 11 dhjetor dhe ishte larguar nga ambienti i territorit doganor pa bërë zhdoganimin e mallit. Nga kontrolli i ushtruar në kamion rezultoi se në brendësi të trajlerit kishte produkte ushqimore dhe pije freskuese.
En. Se.
En. Se.