Shoi nacionalizmin agresiv serb

Volfgang Ishinger, ish-ndërmjetës në bisedimet për statusin e Kosovës, thotë se kthimi i saj (Kosovës) nën Serbi, pas tetë vjetëve të protektoratit ndërkombëtar, do të ishte vendim jo i moralshëm, ndërsa pavarësia e Kosovës nuk ishte vetëm e dëshiruar, por edhe hap i domosdoshëm për të shuar nacionalizmin agresiv serb. Diplomati gjerman Ishinger i bëri komentet në një debat për Kosovën, të zhvilluar në Londër. Agjencia e lajmeve në internet “Telegrafi”, raportonte se Ishinger, bashkë me publicistin Veton Surroi dhe lordin Pedi Eshdaun, morën pjesë në debatin për pavarësinë e Kosovës të organizuar nga “Royal Geographic Society”. Treshja Surroi-Eshdaun-Ishinger ka paraqitur mocionin mbrojtës për pavarësinë e Kosovës, duke iu kundërvënë treshes së përbërë nga Misha Gleny (autor i librit “The Fall of Yougoslavia”), Sir Ivor Roberts (ish-ambasador britanik në Jugosllavi) dhe Dragan Zupanjevac (i ngarkuari me punë në ambasadën serbe në Londër). Gazetari Misha Gleni ndërkaq ka vlerësuar se shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, nuk do ta kthejnë prapa vendimin e tyre, mirëpo ai ka shtuar se, “pavarësia e Kosovës krijon më shumë probleme, sesa që i zgjidh ato”. Ai ka vlerësuar se Kosova nuk ka kapacitete për t’u vetëqeverisur, ndërsa ka shtuar se me njohjen e Kosovës, i është mundësuar Rusisë të njohë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Pedi Eshdaun ndërkaq, rastin e Kosovës e ka krahasuar me atë të Irlandës Veriore, ndërsa ka thënë se me humbjen e Kosovës, Serbia do të paguante keqqeverisjen në Kosovë, respektivisht vrasjet që i kishin bërë skuadrat vrastare të Millosheviqit. Ai po ashtu ka hedhur poshtë krahasimet në mes të Kosovës dhe rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, sepse sipas tij, ato asnjëherë nuk kanë qenë nën protektorat të OKB-së. Dhe përderisa panelisti tjetër, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, Dragan Zupenjevac, ka tentuar të argumentonte “joligjshmërinë” e pavarësisë së Kosovës nëpërmjet akteve ligjore ndërkombëtare për mosndryshimin e kufijve, publicisti Veton Surroi ka thënë se Kutia e Pandorës nuk është hapur me pavarësimin e Kosovës, por me shpërbërjen e Jugosllavisë, dhe ka shtuar se, “me Kosovën dhe Serbinë, tashmë si partnere, sfida e tyre e përbashkët në të ardhmen është integrimi në BE”. Në një votim online që ishte zhvilluar para debatit, 275 vetë kanë qenë të pavendosur rreth mocionit “Kemi gabuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, 171 kanë votuar pro dhe 184 kundër. Ndërkaq, pas debatit rezultati ishte: 22 të pavendosur, 311 pro dhe 364 kundër këtij mocioni. Pra, në fund kanë fituar mbështetësit e pavarësisë së Kosovës. Debatet në Londër u bënë ndërsa në Prishtinë, Bajram Rexhepi (PDK), ish-kryeministri i Kosovës, tha se ishte plotësisht e papranueshme ideja e ndarjes administrative të veriut të vendit. “Është prezantuar, është plotësisht i papranueshëm. Nuk mund të ketë dy dogana, dy administrata. Kjo bie ndesh edhe me pakon e Ahtisarit”, thotë Rexhepi, sot kryetar i komunës së Mitrovicës. Ish-kryeministri tjetër, Bajram Kosumi (nënkryetari i AAK-së), thotë se nuk është në dijeni nëse ka një plan zyrtar për ndarje administrative në veri të Kosovës, por në çdo rast, ai thotë se planet e tilla Prishtina duhet t’i kundërshtojë. “Unë parimisht nuk mendoj se Kosova duhet të pranojë të bisedojë me Serbinë për pjesën veriore të Kosovës, sepse nëse Kosova pranon të bisedojë si Kosovë me Serbinë për veriun, atëherë ajo duhet ta shtrojë për bisedë edhe çështjen e Kosovës Lindore, pra Preshevën, Bujanocin e Medvegjën. Nëse qenka kjo bisedë mes dy shteteve për territore, atëherë duhet të bisedohet në tërësi problemi”, thotë Kosumi.