E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushëbeteja në parlament

Organi i akuzës, një raport për Komisionin e Ligjeve me të gjitha vërejtjet dhe kundërshtitë për draftin e ministrisë

TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të kërkojë ndihmën e deputetëve për prapësimin e projektligjit të shumëkundërshtuar që ka përgatitur tashmë Ministria e Drejtësisë për organin e akuzës. Pasi dështoi në përpjekjen e saj për gjetjen e një konsensusi me ministrinë, për pika të caktuara dhe mjaft të rëndësishme të projektligjit, prokuroria ka vendosur ta zhvendosë fushëbetejën në Kuvend. Përplasja e parë pritet të bëhet në komisionin e ligjeve, ku dhe do të diskutohet fillimisht projektligji, që duket se nuk do të ketë asnjë pengesë gjatë diskutimit në qeveri. Burime të sigurta informacioni thanë se është duke u përgatitur një raport i plotë me të gjitha vërejtjet dhe kritikat për projektligjin. Prokuroria e Përgjithshme mësohet se po ridiskuton të gjitha kundërshtimet, të cilat tashmë pritet t’i paraqesë në Komisionin e Ligjeve. Pas “dështimit” në Ministrinë e Drejtësisë, ku nuk u arrit marrëveshja për ndryshimin e pikave të diskutueshme të projektligjit, organi i akuzës ka vendosur të ndërmarrë hapin e dytë në mbrojtje të institucionit. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se ka nisur tashmë puna për evidentimin e të gjithë neneve që nuk përputhen me funksionimin në mënyrë të pavarur të prokurorisë, të cilat do t’i paraqiten për diskutim Komisionit të Ligjeve. Pavarësisht faktit se nuk ka një datë të saktë se kur do të dërgohet për shqyrtim projektligji për prokurorinë, organi qendror i akuzës po bën të gjitha përpjekjet për mbledhjen e argumenteve të mjaftueshëm, me të cilët do të kundërshtojnë pikat që, sipas tyre, pengojnë punën e prokurorëve e për pasojë cënojnë pavarësinë e institucionit të prokurorisë. Ndër çështjet më kryesore që ka ngjallur jo pak debat mes institucionit të prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, është imuniteti i prokurorëve. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, thotë se Kushtetuta nuk parashikon mbrojtje për prokurorët, ndërsa këta të fundit pretendojnë se një lëvizje e tillë nuk është e nevojshme. Sipas tyre, imuniteti i prokurorëve nuk është si imuniteti i një ministri apo politikani, por është mbrojtje për përfaqësuesit e akuzës nga politika apo sulmet e pabaza. Por kjo është vetëm një nga pikat e kundërshtuara, pasi organi i akuzës në objeksionet e veta ka renditur një sërë pikash të projektligjit të ri, të cilat cënojnë pavarësinë e prokurorisë.

Në të njëjtën linjë me qëndrimin zyrtar të prokurorisë ka qenë dhe Shoqata e Prokurorëve, e cila pak kohë më parë i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë ndryshimin e disa pikave të projektligjit, që kanë të bëjnë me Këshillin e Prokurorisë si: të drejtën e ankimimit të prokurorit të ndëshkuar, mosndryshimin e pagës së Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një strukture sigurie dhe elemente të tjerë që do të përmirësojnë punën e prokurorëve.

Drafti tashmë i përfunduar ka ngjallur jo pak shqetësim edhe tek përfaqësitë e huaja të akredituara në Tiranë. Në deklarata periodike, diplomatët e huaj i kanë tërhequr vëmendjen ekzekutivit që të mos cënojë pavarësinë e prokurorisë dhe të institucioneve të drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›