Kinezi fluturon nga skela
FUSHË-KRUJË - Shpërthen eksplozivi, ia mbath punëtori kinez, bie nga skela 4 metra e lartë dhe thyen këmbën. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme në Borizan të Krujës, pikërisht në vendin ku po ndërtohet fabrika e çimentos “Titan”. Mësohet se shpërthimi është kryer nga punëtorët, me qëllim zgjerimin e territorit, ndërkohë që për pasojë ka mbetur i plagosur 34-vjeçari kinez Xeng Uling. Rreth orës 14:00, në këtë fabrikë nisën të shpërthehen disa masive gurësh, që nuk mund të lëvizeshin me makineri. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se punëtori i plagosur ia ka dhënë vrapit nga frika se mos plagosej nga ndonjë gur, por në hutim e sipër është hedhur nga skela 4 metër e lartë, në të cilën ai ndodhej. Ai është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, ku është duke marrë edhe ndihmën e bluzave të bardha, që sqaruan se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Një grup ekspertësh nga policia e Krujës mbërritën në vendin e ngjarjes, për të bërë të mundur edhe ekspertimin e zonës ku ndodhi shpërthimi, si dhe mbledhjen e informacioneve të nevojshme për plagosjen e 34-vjeçarit nga Kina. Burime zyrtare të policisë së Krujës bënë të ditur se janë shoqëruar menjëherë në polici presidenti i firmës shqiptare që kishte fituar tenderin dhe po kryente punimet për hapjen e frontit të punës, si dhe specialisti i shpërthimeve, të cilët po merren në pyetje nga ana e hetuesve. Hetimet sipas policisë së Krujës po drejtohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Krujës, ndërkohë që deri tani nuk bëhet fjalë për ndonjë urdhër-arresti nga ana e organit të akuzës, me përjashtim të dy të shoqëruarve. Uniformat blu bënë të ditur se presidenti i firmës shqiptare “Karaj Sh.p.k”, K. Karaj, së bashku me drejtuesin teknik të punimeve do të përballen me akuzën e “moszbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë”. Punimet për ngritjen e fabrikës “Titan” po kryhen nga ana e punëtorëve kinezë, ndërkohë që hapja e frontit të punës po bëhet nga ana e firmës shqiptare “Karaj Sh.p.k”, e cila merret kryesisht me shpërthimet dhe prej tre muajsh punon pranë kësaj fabrike. “Titan” ndodhet vetëm 3 km larg komunës së Thumanës. Vetëm pak muaj më parë në këtë fabrikë u pre shiriti për inaugurimin e punimeve nga kryeministri Sali Berisha. Në të pritet të punësohen rreth 400 punonjës.