E Diel, 1 Nëntor 2026

Të mos dëmtojmë fqinjët me zhvillimin tonë

Qeveria shqiptare kujdeset që “të mos prekë” vendet fqinjë nga investimet e shumta që po bëhen, ndërsa në vendin tonë po bëhen një sërë investimesh, si fabrika çimentoje, depozita nafte etj. Nëpërmjet një vendimi të djeshëm, qeveria ka përcaktuar rregullat dhe procedurat e vlerësimit të veprimtarive e projekteve që kanë ndikime negative në mjedisin e vendeve fqinjë. Shqyrtimi i projekteve do të bëhet nga Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM), e cila brenda pesë ditësh nga depozitimi i kërkesës duhet të vlerësojë dhe të vendosë nëse projekti në fjalë është në përputhje me rregullat dhe nëse shkakton dëm në mjediset e vendeve fqinjë. Brenda kësaj periudhe, ARM-ja është e detyruar të njoftojë ministrinë përkatëse për rezultat e vlerësimit të projektit. Ndërkaq, në rast se ministria është dakord me vlerësimet e bëra nga ARM-ja, atëherë njofton institucionin që ka kompetencë të licencojë projektin dhe pjesën shqiptare të komisioneve të përbashkëta të ngritura për çështje të ndryshme ndërkufitare, dhe u kërkon atyre që të angazhohen në procesin e vlerësimit, në përputhje me funksionet e kompetencat e tyre ligjore. Kështu, në rastet kur veprimtaria e projektit ka pasoja negative në mjedisin e vendeve fqinjë, 10 ditë pasi ARM-ja të ketë paraqitur vlerësimet e saj, ministria është e detyruar që të njoftojë palën e prekur, pra vendin fqinj. Më pas, projekti bëhet pjesë e shqyrtimit dhe vlerësimit në kontekst ndërkufitar. Në rastet kur pala e prekur nuk shprehet brenda afatit njëmujor, të caktuar në njoftimin e ministrisë, shqyrtimi dhe miratimi i projektit kryhen pa praninë e saj. Ndërsa në rastet kur pala e prekur shfaq interes dhe parashtron kërkesa, ministria pranon dhe shqyrton vetëm kërkesat që janë në përputhje me dispozitat e konventës dhe i dërgon asaj materiale si: informacion për projektin e propozuar, informacion për procedurën kombëtare të vlerësimit për ndikimin e mjedisit, si dhe vendimin e ministrit për projektin. Një pikë e vendimit të djeshëm parashikon që komunikimi me palën e prekur të bëhet vetëm nëpërmjet gjuhës angleze, nëpërmjet personit të caktuar nga ministri, edhe pse disa nga fqinjët tanë hasin shpesh vështirësi me anglishten. Ndërkaq, në rastet kur nis vlerësimi ndërkufitar, përkthimet e dokumentacionit dhe përkthimet e negociatave për këtë çështje do të paguhen nga propozuesi i projektit. Vendimi parashikon gjithashtu, që miratimi përfundimtar i projekteve të tilla do të bëhet duke u bazuar mbi dokumentacionin dhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedisin ndërkufitar në komentet e publikut, si dhe në rezultatet e këshillimeve të realizuara me shtetin fqinj.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›