E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shok me mafinë

Sulmuesi Ezequiel Lavezzi ka pranuar se është shoqëruar me anëtarë të grupeve mafioze gjatë kohës sa ishte anëtar i skuadrës italiane Napoli. Ylli argjentinas u paraqit në gjykimin e Antonio Lo Russos dhe konfirmoi se ka kaluar kohë me të, e madje edhe luajti Playstation. Dhe, ky nuk është rasti i vetëm. Por, për secilin prej tyre Lavezzi kishte menduar se janë tifozë të Napolit.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Ezequiel Lavezzi ka pranuar se u shoqërua me anëtarë të grupeve mafioze gjatë kohës sa ishte anëtar i Napolit.

27 vjeçari u paraqit në gjykimin e Antonio Lo Russos, babai i të cilit Salvatore ishte kreu i grupit mafioz Clan Lo Rosso dhe bëri të ditur se kishte luajtur me video-lojëra me të akuzuarin, derisa po mendonte se ishte i shoqëruar nga tifozë të klubit nga San Paolo, njësoj siç kishte bërë në të kaluarën duke kaluar kohë me përkrahësit e ish skuadrave të tij Estudiantes dhe San Lorenzo.

“Kam menduar se është një prej tifozëve të Napolit, i cili nganjëherë më shoqëronte edhe në shtëpinë time”, tha Lavezzi para gjykatës, kur u pyet nga prokurori Sergio Amato rreth raporteve të tij me Lo Russon.

“Nuk kam vërejtur asgjë të dyshimtë sepse në Argjentinë është e zakonshme për futbollistët që të shoqërohen me tifozë. Ne madje kemi luajtur Playstation së bashku dhe nëse më kujtohet mirë, e kam parë edhe në stadium”, u shpreh anëtari i ri i PSG-së, i cili gjatë verës braktisi Napolin dhe iu bashkua projektit ambicioz të klubit nga Parc des Princes.

Lavezzi ndër të tjera u pyet edhe për marrëdhëniet e tij me një tjetër anëtar të grupit, Marco Iorio, por theksoi se atij i kishte dhënë vetëm disa gjëra të çmueshme në rastet kur skuadra kishte për të luajtur në udhëtime. Krejt kjo për shkaqe sigurie.

“Kur u desh të luanim në ndonjë qytet tjetër, për shkaqe sigurie, lejoja që ai të më mbante disa gjëra të çmueshme, përfshirë orët”, theksoi Lavezzi.

Përfshirja e grupeve mafioze në klube të futbollit ose shoqëria e tyre me futbollistë nuk është e pazakonshme, sidomos në Itali. Edhe pse pa vetëdijen e këtyre të fundit, persona të rrezikshëm- përfshirë edhe anëtarë të grupeve Ultras të skuadrave përkatëse- gjithnjë shprehin gatishmëri të përkujdesen që futbollistët të mos kenë probleme në qytet, por edhe në rastet kur udhëtojnë te ndonjë qytet fqinj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›