Vrasësit e Eduard Krejthonit, në burg përjetë
Edhe gjatë mbrojtjes, dëshmitë e dy të pandehurve kundërshtuan njëra-tjetrën, ndërsa Petrushaj nuk pranoi përgjegjësi
LEZHË – Jepet dënimi kapital për vrasësit e 21-vjeçarit anglez Eduard Krejthon, Mario Pjetrushajn dhe Arlind Vukajn. Akuza e ngritur ndaj tyre ishte “vjedhje me pasojë vdekjen”. Megjithëse avokatët mbrojtës kërkuan një dënim më të lehtë për dy të pandehurit, vrasja e kryer, shkaqet, fshehja e trupit të viktimës, mohimi i përgjegjësisë, vetëm sa i rëndoi ata dhe e bindi trupin gjykues se lënia e tyre e lirë edhe në një kohë të mëvonë, përbën një rrezik për shoqërinë, çka çoi në pranimin e kërkesës së prokurorisë dhe dënimin e dy të rinjve me burgim të përjetshëm.
Mbrojtja
Në vetëmbrojtjen e kryer nga të pandehurit, pati kontradikta në deklaratat e tyre, ku faji i hidhej njëri-tjetrit. Gjatë seances, Pjetrushaj nuk pranoi të ketë qëlluar 21-vjeçarin anglez duke ia kaluar përgjegjësinë Arlindit. Mosdenoncimi i krimit u justifikua prej tij me faktin se kishte pasur frikë dhe se rrëfimi mund të kryhej vetëm pas arrestimit të tij, pasi kështu do të ishte i sigurt. Në marrjen në pyetje Petrushaj deklaroi se nuk kishte dijeni për ndonjë plan të Arlind Vukajt për grabitjen e anglezit dhe se në momentin kur shoku i tij qëlloi Eduardin, ai vetë është larguar menjëherë. Sipas të pandehurit, të tre ata shkuan në malin e Shëngjinit për të konsumuar lëndë narkotike. Më pas të riut iu kërkua të shkonte të shihte me Arlindin thellësinë e pusit, ku dhe është goditur pas koke. Por, sipas dëshmisë së të pandehurit tjetër, ishte pikërisht Petrushaj ai që kishte borxhe si pasojë e përdorimit të drogave. Megjithatë, të dy të rinjtë i kërkuan falje familjarëve të viktimës së tyre. Avokatët mbrojtës kërkuan nga gjykata një dënim më të lehtë, duke u shprehur se të dy të pandehurit kishin bashkëpunuar për zbardhjen e krimit.
Vendimi
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Parashqevi Ademi, pas dëgjimit të të dyja palëve, vendosi deklarimin fajtor të Mario Petrushajt dhe Arlind Vukajt për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen”. Për këtë vepër togat e zeza vendosën dënimin me burgim të përjetshëm të dy të rinjve, nisur dhe nga rrethanat rënduese, si: fshehja e kufomës, fshehja e fakteve etj. Trupi gjykues vendosi që ky dënim do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
NGJARJA
Vrasja e Krejthonit, nga dy shokët e vet
Me datë 2 shkurt të këtij viti Eduard Krejthon doli nga shtëpia e nënës së tij në Shëngjin të Lezhës për të mos u kthyer më. Pas kryerjes së një telefonate, i riu anglez i tha së ëmës dhe motrës, që jetonin prej kohësh në Shëngjin se po dilte për të takuar një shok. Që nga ai moment, Eduardi nuk u duk më. Pasi nuk u kthye në shtëpi në mbrëmje, nëna e tij telefonoi Mario Pjetrushin, por ky i fundit iu përgjigj se i biri ishte larguar në drejtim të Tiranës me disa miq anglezë. Pritja rezultoi e kotë për familjen angleze, pasi edhe pas shumë ditësh dhe kërkimeve nga policia, ai nuk u gjet. 10 ditë pas zhdukjes së 21-vjeçarit, disa fëmijë që ruanin bagëtinë, njoftuan se në një pus pranë një banese të braktisur ndodhej një kufomë. Mbërritja në vendngjarje e policisë zbuloi trupin e Eduard Krejthonit. Vetëm një ditë më pas u zbulua autorësia e Mario Pjetrushajt dhe Arlind Vukajt, në një kohë që krimi u pranua prej tyre.