Shokët e klasës i bastisin me armë e maska banesën

Arma me të cilën u krye grabitja
MAMURRAS/ Dhunojnë e lidhin nipin e familjes, dëgjohen të shtëna.
Bastiset me armë e maska një banesë, ndërsa dhunohet nipi i familjes që e ruante atë. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së shtunës në banesën e Van Hotit në Fushë-Mamurras. Katër të rinj, dy prej të cilëve gjimnazistë, shokë me djalin e shtëpisë, kanë organizuar grabitjen. Ata kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të të zotit të shtëpisë, i cili ishte larguar me të shoqen në Itali. Në banesë kanë lënë djalin, E.Hoti, gjimnazist në vitin e tretë në Mamurras. Por, ata kishin ftuar edhe nipin e tyre nga Shkodra, 33 vjeç që të rrinte me të birin. Policia bëri të ditur se autorët e ngjarjes, shtetasit Aranit Rama, 18 vjeç, Albano Gjetani, 21 vjeç, Xh.Dangaj dhe E.Kaçorri, të dy 17-vjeçarë, u arrestuan pas operacionit të koduar Mesnata, ndërsa bënë të ditur edhe detaje të grabitjes. Mësohet se Xh.Dangaj ka marrë në telefon shokun e tij, E.Hoti, duke e ftuar në një lokal, në afërsi të xhamisë në Mamurras, ku kishte muzikë live. Ai e ka pranuar ftesën, ndërsa ka lënë rojë në shtëpi djalin e hallës së tij që kishte ardhur nga Shkodra. Teksa dy të rinjtë qëndronin në lokal, planin e grabitjes do ta mbaronin Aranit Rama, Albano Gjetani dhe E.Kaçorri, që të gjithë nga Mamurrasi. Ata kanë shkuar në banesën e Hotit dhe kanë shkallmuar derën, duke mos qenë në dijeni se brenda ndodhej 33-vjeçari. Por janë përballur me nipin e familjes. Të gjendur në këto kushte, ata e kanë sulmuar duke e qëlluar me tutën e një arme automatike në kokë e më pas e kanë lidhur duke e lënë në krevat përmbys. Menjëherë nisën bastisjen duke marrë dy kompjuterë, dy televizorë plazma, një telefon si dhe para, shuma e të cilave nuk është konfirmuar. Djali i familjes Hoti ka pohuar në polici vjedhjen e parave, por ai nuk ishte në dijeni sa lekë kishin lënë prindërit në banesë. Pas bastisjes, autorët janë larguar me shpejtësi, duke marrë edhe çelësin e furgonit të Hotit që ndodhej mbi tavolinë. Pasi kanë mbushur furgonin, ata janë larguar, por nga nxitimi arma është shkrehur duke alarmuar fqinjët, të afërm të familjes Hoti. Ata kanë dalë jashtë dhe kanë parë se mjeti i Van Hotit po dilte me shpejtësi nga oborri, ndërsa drejtuesi i saj ishte i maskuar. Të alarmuar njoftuan policinë, e cila mbërriti në vend dhe gjeti 33- vjeçarin të lidhur e të dhunuar. Blutë sinjalizuan djalin që ndodhej në lokal, i cili i ka pohuar policisë se ishte larguar pasi e kishte ftuar shoku i tij gjimnazist. Pas hetimeve, blutë arritën të ndërtojnë skenarin e grabitjes, duke arrestuar katër të rinjtë si autorë. Ata i kishin çuar sendet e vjedhura në Lezhë për ti fshehur te një i njohur i tyre, ndërsa mjetin furgon e kanë braktisur në lagjen Nr 4 në Laç. Për të humbur gjurmë janë kthyer në Mamurras me taksi.
Marlboro, pranga dy të rinjve
Gjatë një operacioni të koduar Marlboro, policia e Rrëshenit në bashkëpunim me FNSH-në e Shkodrës arrestuan në flagrancë dy kushërinj, që po tentonin të vidhnin. Sipas Policisë, të arrestuarit janë Erjon Tusha, 24 vjeç dhe Severjan Tusha, 21 vjeç. Në momentin e ndalimit iu sekuestruan dy maska, doreza dhe leva. Ata pranuan autorësinë e të paktën 7 vjedhjeve të kryera gjatë tre muajve të fundit në Rrëshen dhe Rubik.
MAMURRAS/ ROLAND NIKOLLI