E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i rektorit, peticion nga 1200 studentë e pedagogë

DURRES/ Avokati i Popullit e shfuqizoi

DURRES – Situata në universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës dhe protestat e studentëve po marrin të tjera përmasa. Më shumë se 1200 studentë e pedagogë kanë firmosur një peticion, ku kanë kërkuar rrëzimin e urdhrit të dhënë nga rektori Mithat Mema për transferimin e disa pedagogëve. Peticioni u është dërguar drejtuesve më të lartë të institucioneve në vend. Që prej dy javëve, studentët e universitetit Aleksandër Moisiu kanë nisur një sërë protestash, të cilat kanë si synim kundërshtimin e vendimeve të pabaza dhe të jashtëligjshme, sipas tyre, të rektorit. Bashkë me pedagogët e penalizuar akuzojnë rektorin Mithat Mema se po e përdor postin për qëllimet e tij personale, duke shpërdoruar fondet e universitetit. Sipas tyre, këto fonde nuk po menaxhohen në mënyrë korrekte. Në vend që fondet të shkojnë në dobi të studentëve dhe përmirësimit të infrastrukturës e cilësisë së mësimdhënies, po shkojnë për pushime jashtë shtetit të drejtuesit të universitetit dhe mbështetësve të tij, si dhe për investime abuzive joeficiente. Me largimin e pedagogëve drejt filialit të Peshkopisë, është ulur cilësia e stafit akademik dhe administrativ, duke favorizuar nepotizmin dhe konfliktin e interesit në universitet nëpërmjet rekrutimeve pa konkurse dhe pa kritere, me lidhje farefisnore dhe klanore, thuhet në peticionin e nisur institucioneve kryesore, mediave e ambasadave. Pedagogët akuzojnë Memën se ka ardhur në pozicionin e rektorit nga një fushatë e zhvilluar në kushte jonormale, i zgjedhur si pasojë e një procesi të cenuar dhe si rezultat i kulisave në tavolinë, por jo si rrjedhojë e votës së pedagogëve dhe studentëve. Veprimet e tij, të cilat vijnë në kundërshtim me ligjin dhe statutin e universitetit, konsistojnë në: cenimin qëllimisht të procesit të mësimdhënies, duke transferuar në mënyrë të jashtëligjshme nga universiteti pedagogët më të mirë dhe më të kualifikuar, madje duke i larguar ata në mes të semestrit të dytë. Lidhur me sa më sipër, studentët dhe pedagogët kanë gjetur mbështetjen e Avokatit të Popullit, i cili me shkresën nr.K1/G7-3, të datës 02.04.2012, ka kërkuar shfuqizimin si absolutisht të pavlefshëm të urdhrit të rektorit, i cili ka transferuar personelin akademik në filialin e Peshkopisë, thuhej në peticion.                         l.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›