Shokët, kundërshtarë

Kur shokët bëhen kundërshtarë. Kur një bashkëlojtarë i besueshëm mund të shndërrohet në armik. Si mund të jetë ndjenja e përballjes kundër një bashkëlojtari të ekipit në ngjyrat e ekipit tuaj kombëtar? Wayne Rooney dhe Cristiano Ronaldo mund të përgjigjen në këtë pyetje sepse janë mirë të informuar.
Por, ata iu shmangën njëri tjetrit në fazën e grupeve në Euro 2012. Megjithatë, ka futbollistë të tjerë që për së paku një natë, do të harrojnë besnikërinë e klubeve në Ukrainë dhe Poloni.
Gareth Barry - Samir Nasri (Man City)
Gareth Barry dhe Samir Nasri janë të dy përforcime të reja të Manchester Cityt. Të dy mesfushorët janë përshtatur mirë te Citizens dhe konsiderohen futbollistë të rëndësishëm në ekipin e Roberto Mancinit. Por, Anglia (Barry) dhe Franca (Nasri) do të jenë kundërshtarë në Grupin D. Barry do të jetë i vetëdijshëm për lëvizshmërinë e Nasrit. Në anën tjetër, francezi do të ketë një arsyeje më tepër për t’u dëshmuar pas fiaskos në Botërorin 2010.
Pepe - Mesut Ozil (Real Madrid)
Mesut Ozil dhe Pepe janë bashkëlojtarë te Real Madridi, por do të jenë kundërshtarë me njëri tjetrin në përballjen mes Gjermanisë dhe Portugalisë në Grupin B në Euro 2012. Ozil, konsiderohet si njëri prej futbollistëve më kreativ në Evropë dhe paraqet rrezik për repartet defensive të skuadrave kundërshtare. Me të mund të merret pikërisht Pepe, i cili njihet si mbrojtës i ashpër dhe jashtëzakonisht luftarak.
Robin van Persie - Per Mertesacker (Arsenal)
Për këta të dy më së miri mund të flasë fotografia e shkrimit. Robin van Persie dhe Per Mertesacker nuk kanë humbur kohë dhe menjëherë kanë krijuar një miqësi të ngushtë pas transferimit të këtij të fundit në Arsenal gjatë afatit kalimtar të verës. Por, ata do të jenë kundërshtar në Euro 2012 në përballjen mes Holandës dhe Gjermanisë në Grupin B. Van Persie, sulmues në formë të jashtëzakonshme që pritet të udhëheq repartin ofensiv të Tulipanëve, ndërsa Mertesacker, shtyllë në mbrojtjen e Gjermanisë.
Tomas Necid - Sergei Ignashevich (CSKA Moska)
Një tjetër shembull ku mbrojtësi takohet me sulmuesin në betejë të drejtpërdrejtë. Necid, edhe pse ende nuk është rikuperuar nga lëndimi i rëndë i gjurit megjithatë pritet të udhëheq sulmin e Republikës çeke në Euro 2012. Atje, mund të ketë punë pikërisht me bashkëlojtarin e tij nga CSKA, mbrojtësin rus Ignashevich në përballjen e skuadrave në Grupin A.
Christian Eriksen - Gregory van der Wiel (Ajax)
Eriksen dhe Van der Wiel janë dy të rinj që megjithatë janë futbollistë të rëndësishëm në skuadrën që njihet për zhvillimin e talentëve, Ajax. Ata janë ndeshur mes vete në stërvitje por i pret një duel i vërtetë. Mesfushori ofensiv Eriksen dhe mbrojtësi i djathtë Van der Wiel do të jenë kundërshtar në ndeshjen mes Danimarkës dhe Holandës në Grupin B të Euro 2012.
John Terry - Florent Malouda (Chelsea)
John Terry – nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim i papritur – do të jetë kapiten i Anglisë në Euro 2012. Atje, për kundërshtarë do të kenë Francën, nikoqirin Ukrainën dhe Suedinë. Por, te Trekolorët, Terry do të ndeshet me një bashkëlojtar të tij nga Chelsea, mesfushorin Florent Malouda. Anglia nuk e ka mposhtur Francën nga 1997, duke arritur vetëm një barazim nga pesë përballje prej asaj kohe. E fundit ishte fitorja e Francës 2-1 në Wembley në tetor 2010. Malouda luajti atë natë, Terry jo.