Shokohet Gjermania: Balak k.o, nuk shkon në Afrikën e Jugut
Mikael Balak do të mungojë në Botëror. Kapiteni i Gjermanisë është i detyruar të tërhiqet për shkak të një dëmtimi që do ta mbajë larg fushave të paktën dy muaj. Lajmin e ka dhënë vetë federata gjermane. Mesfushori gjerman është dëmtuar gjatë një përplasjeje me Kevin Prince-Boateng në finalen e FA Cup të shtunën, ku çelsi mundi Portsmuthin 1-0. Balak doli nga fusha para pushimit të ndeshjes. “Të marrësh një lajm të tillë dy ose tri javë para Botërorit, është e tmerrshme”, ka thënë i mërzitur Balak. Kapiteni i Gjermanisë u është nënshtruar disa kontrolleve dhe është mësuar se bëhet fjalë për një dëmtim në ligamentet e kaviljes së djathtë. Kështu që trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, do të jetë i detyruar të udhëtojë drejt Afrikës së Jugut pa kapitenin e tij. Megjithatë, tekniku është optimist: “Nuk mundet të dorëzohemi para fatkeqësisë. Ne jemi të tronditur, as që diskutohet kjo, por megjithatë mund të luajmë një Botëror të mirë”.
#