Shoqata Bregdeti: Po përballemi me provokime

Himarë, 8 nëntor 11:10 NOA - Kryesia e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bregdeti”
proteston duke kërkuar të shprehë indinjatën e saj “të thellë për ngjarjen e turpshme, veprimin antiligjor e arbitrar të shtetit për grabitjen e Kakomesë, pronë e ligjshme e banorëve të Nivicës”.
Akti i datës 6 Nëntor 2008 është përsëritje e të njëjtit skenar të vitit 2004, nga grabitësit që shfrytëzojnë Firmën „Riviera“ dhe mbrohen nga forcat e Policisë së Shtetit, thuhet në deklaratën e “Bregdeti”.
Shoqata kujton faktin se problemi i Kakomesë vazhdon të jetë në gjykim. Në muajin Shtator 2008 çështja ka kaluar në Gjykatën e Apelit Tiranë, me numër 3442.
“Pra veprime të tilla të mbështetura nga policia si dhe provokime të tjera po organizohen prej grabitësve të papërmbajtur”, konsideron shoqata “Bregdeti”.
Impenjimi i Policisë së Shtetit Shqiptar është përdhosje e parimeve bazë të pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe nga shkeljet më të rënda të ligjeve të shtetit.
Lidhur me këtë, Kryesia e Shoqatës A.K.“Bregdeti“ i bën thirrje sot “të gjithë bregdetasve Vlorë-Sarandë, Degëve të Shoqatës, shoqatave të tjera si motra dhe opinionit të ndershëm publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të shprehin opinionin e tyre për këtë çështje parimore dhe të përkrahin respektimin e të drejtës së pronës së trashëguar të niviciotëve që e gëzojnë prej shekujsh”.
Pikë e dytë thirrjes është ajo ndaj drejtuesve të shtetit, që “të ndërhyjnë me urgjencë të ndëshkohen sipas ligjit personat përgjegjës dhe të mbrohet e drejta e pronës për niviciotët si e drejtë themelore e njeriut”.
Por drejtuesve të shtetit, gjithashtu u bëhet thirrje për “ndalimin e grykësisë të arrogancës, të provokatorëve dhe të antiligjit”.
Sakaq, apel i është bërë edhe Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, veçanërisht ambasadorëve të KE, të BE, të OSBE, të SHBA, të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, “siç u a kemi bërë të ditur disa herë çështjen e mos respektimit të të drejtës së pronësisë në gjithë zonën turistike Vlorë – Sarandë dhe u kërkojmë përsëri ndihmë që të kërkoni me forcë nga Shteti Shqiptar të respektojë të drejtën e pronës tonë të trashëguar në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe detyrimet kushtetuese”.
Në fund të deklaratës, kryetari i Shoqatës A.K. “Bregdeti”, Niko Nesturi, thotë se “ne shprehim shqetësimin e thellë për skenarët dhe provokimet e rrezikshme që po organizohen për të bërë fakt të kryer pushtimin e Kakomesë, veprim të cilin ne bregdetasit nuk do ta lejojmë”.
“Demokracia fillon me kthimi e pronës tek pronari. Kush na mohon pronën e trashëguar na ka mohuar atdheun. Niviciotët do të qëndrojnë të bashkuar e të patundur në të drejtën e tyre të pamohueshme, për ta mbrojtur pronën e tyre të trashëguar, ata do t’u ruhen provokimeve dhe do të ruajnë gjakftohtësinë”, - mbyllet apeli i shoqatës “Bregdeti”.
a.h/NOA