PS: Arsimi në Shqipëri në krizë identiteti

Ledi Shamku
Tiranë, 7 Nëntor, 11:51, NOA - Drejtuar nga t'paaftët sistemi arsimor në Shqipëri është zhytur tashmë në një krizë të thellë funksionale e identitare. Aktualisht ky sistem ka ngrirë në të gjithë sektorët edhe prej çorodisë së madhe financiare që e ka kapluar, tha gjatë një konference shtypi, kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Informimit të në PS, Ledi Shamku.
Sipas saj, është mjerim i plotë fakti që deri në fillim të tetorit, MASH-i realizoi vetëm 37 për qind e buxhetit të caktuar për investime në arsim, çka do të thotë se plot 2/3 e fondeve, që kjo qeveri dha për arsimin, rrezikojnë të digjen. Dhe kjo nuk mund të tolerohet në një vend ku mungesa e investimet në arsim po shkakton shembjen e shkollave me nxënësit brenda (si në Shullaz 3-4 ditë më parë). Por, e keqja më e madhe po duket e ardhmja. Dorëheqja e qeverisë nga ky sektor gjoja prioritar bëhet edhe më e prekshme kur shqiptarët shohin peshën, a më saktë mungesën e peshës, që ka arsimi në buxhetin e vitit 2009, tha ajo.
Tre vjet e ca më parë Berisha u mori votat shqiptarëve me klithmën se arsimi ish prioritet i prioriteteve. Dhe vijon të klithë me fjalë, por hesht me shifra. Vitin e ardhshëm, krahasuar me sivjet, fondi për arsimin bazë ulet nga 57.9 për qind në 54.4, fondi për arsimin e mesëm të përgjithshëm gjithashtu ulet nga 12.5 për qind në 12.2, fondi për arsimin profesional, varrën e hapur të sistemit tonë arsimor, ulet nga 6.8 për qind në 6.2. E pra Berisha u premtoi shqiptarëve se në fund të këtij mandati arsimi do të zinte afro 6% të prodhimit të brendshëm bruto, kur në fakt i la gjysmagjelin e shifrës së premtuar, pra 3.5 për qind. Por, realiteti i trishtuar tregon se shqiptarët as këto fonde nuk do i shohin, siç nuk i panë vjet e siç nuk po i shohin sivjet, përfundoi fjalën e saj Shamku.
c.a/NOA