E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata dhe Unioni i Gjyqtarëve, kundër njëra-tjetrës për Konferencën Gjyqësore

Përplasja

Shoqata dhe Unioni i Gjyqtarëve në Shqipëri janë distancuar shpesh herë kundër njëra-tjetrës, duke lënë të kuptohet se gjyqësori në Shqipëri është i ndarë. Kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, tha dje për gazetën “Shqip” se Konferenca Gjyqësore duhet të mblidhet sa më shpejt, por me një ligj. Sipas mendimit personal të Bejlerit, çdo gjë ka mbetur në dorë të politikës, të ekzekutivit dhe legjislativit, pasi drafti që po punohet nga Ministria e Drejtësisë, i cili po diskutohet, duhet të kalojë disa procedura të tjera: miratimi në qeveri, diskutimi në Komisionin e Ligjeve dhe pastaj votimi i këtij drafti në Parlament. Ajo tha se, sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për këtë ligj duhet të marrë pjesë në Parlament edhe opozita, pasi duhet të miratohet me 3/5 e votave. Bejleri tha se për nga vetë rëndësia që Kushtetuta i ka dhënë këtij ligji, për nga vetë përkufizimi kushtetues i Konferencës Gjyqësore, kuptohet që ky institucion nuk mund të organizohet dhe të funksionojë pa ligj. Ajo tha se Konferenca Gjyqësore Kombëtare nuk është shoqatë që të organizohet në bazë të një statuti, sepse po të ishte e tillë, pjesëmarrja duhet të ishte vullnetare. Ndërkohë, në një prononcim të mëparshëm, kryetari i Unionit të Gjyqtarëve, Artur Kalaja, tha se gjyqtarët nuk duhet të presin nga politika, por duhet të vendosin bashkërisht, megjithëse ishte i mendimit se problemet e buxhetit, pavarësisë dhe mbledhjes të Konferencës Gjyqësore duhet të vendoseshin nga vetë gjyqtarët, edhe pse nuk ka një ligj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›