Nuk është hera e parë që sllavët kërkojnë minoritete
“Jo çdo kategori njerëzish apo zona që për arsye gjeofizike flasin një variant të gjuhës fqinje, mund të konsiderohen pakica kombëtare, së cilës mund t’u përafrohet gjuha e folur. Shqipfolës ka edhe maqedonas, atëherë çfarë duhet të kërkojmë ne, që janë pakicë etnore, apo që i përkasin popullsisë shqiptare në Maqedoni?”, kështu ka deklaruar deputetja e Parlamentit maqedonas, Zumrete Jakupi, gjatë një vizite të organizuar në Librazhd, ku ka vizituar qendrën ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara. E pyetur nga “Shqip” në lidhje me “kërkimet” për minoritete nga bullgarët apo edhe nga maqedonasit, Jakupi ka pohuar se ky është një avaz i vjetër i politikës sllave, që kërkojnë të gjejnë apo të sajojnë minoritetet e tyre në tërë rajonin e Ballkanit. “Përderisa janë popull shumë më i vonë në këtë gadishull, sllavët nuk i kanë humbur shpresat e identitetit të tyre historik edhe në drejtim të kërkesave të vazhdueshme për minoritete”, ka pohuar ajo, duke shtuar se ka dëgjuar së fundmi për krahinën kufi me Maqedoninë, Stëblevën, ku po luhet fort me dygjuhësinë për “të zbuluar” aty një minoritet sllav, qoftë ky bullgar apo maqedonas. “Unë di dhe nuk jam shumë e sigurt që ka një pakicë malazeze në Shqipëri, ndoshta dhe maqedonase, por di që një krahinë që ka një histori, gjuhë, etnografi, toponimi apo çdo veçori tjetër karakteristike kombëtare dhe që mund të flasë sllavishten e vjetër, kurrsesi nuk mund të pretendohet se është pakicë e Maqedonisë. Të them të drejtën, një problem i tillë nuk është ngritur zyrtarisht në Parlamentin maqedonas, përpos ndonjë politikani që kërkon karrierë me këtë pretendim, apo studiuesi që i ka mbetur ‘ora’ ballkanase pas”, ka përfunduar deputetja shqiptare në Parlamentin maqedonas.
#