E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Bankave: Frenohen kreditë me probleme

TIRANË- Frenohet rritja e kredive me probleme. Të dhënat e fundit të Shoqatës së Bankave tregojnë se në janar të këtij viti ky tregues arriti në 18,9%. Kundrejt muajit dhjetor, niveli i kredive me probleme është rritur vetëm me 0,1%, një normë shumë e ulët krahasuar me rritjen që kanë pësuar këto kredi gjatë vitit që lamë pas.

Kështu nëse nga janari deri në shtator të vitit 2011-të kreditë me probleme u rritën me rreth 4%, që nga shtatori e deri në janar të këtij viti rritja ka qenë vetëm me 0,5%.

Një rritje më e vogël e kredive me probleme do të thotë se bankat po shpenzojnë më pak për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë. Kjo tregon se përpjekjet e sistemit bankar për ta vendosur këtë problem nën kontroll kanë rezultuar efikase në një masë të madhe.

Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojë gjithashtu se ky vit ka nisur i mbarë për sistemin. Gjatë janarit, niveli i fitimit të bankave është rritur dhe statistikat tregojnë se sistemi bankar për këtë periudhë arriti një fitim që i kalon 1,6 miliardë lekë.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›