Shoqata e minibashkive: Rama të ndryshojë buxhetin
Marjola Shimi
Shoqata e njësive Bashkiake në Tiranë kërkon që të bëhen ndryshime në projektbuxhetin e 2009, ende të pamiratuar. Kjo pasi shumë prej prioriteteve të vendosura nga ana e njësive bashkiake nuk janë marrë parasysh. Kryetari i Shoqatës së Njësive Bashkiake të Tiranës, Armond Halebi, kërkoi dje që ato të realizohen bazuar në kërkesat e qytetarëve. Ndonëse nuk kaloi herën e parë, për shkak të mos ndryshimit të tij, buxheti ishte po i njëjti edhe në mbledhjen e 12 janarit. Kështu, një ditë pas konferencës së Kryebashkiakut Rama, Halebi bëri të ditur se dokumenti i hartua duhet rishikuar me patjetër. Njëkohësisht, ai pohoi se deklarata e Ramës nuk i përkon realitetit. “Kryebashkiaku theksoi se buxheti i hartuar nga administrata e institucionit të tij ishte më i miri por kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Projekti nuk u hodh poshtë për arsye politike”, tha Halebi. Ai nënvizoi se krerët e njësive si shprehës të vullnetit të komuniteteve që përfaqësojnë dhe si mbrojtës të interesave të tyre jashtë përkatësive politike, kanë si detyrë para tyre që t’i kërkojnë kryebashkiakut të marrë parasysh prioritetet e kërkuara. “Ne i jemi drejtuar Këshillit në emër të qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës, për të bërë ndryshime në këtë buxhet, bazuar në kërkesat e tyre dhe jo për të shprehur mllefin politik”, u tha Halebi. Sipas tij, shoqata e njësive bashkiake dhe kryetarët e tyre janë pikërisht për t’u dhënë zë mendimeve të qytetarëve, si dhe për t’ia shprehur ato këshillit. “Pra sqaroj edhe një herë, se buxheti u rrëzua se ishte buxhet i pa korrigjuar”, vazhdoi ai. Kryetari i kësaj shoqate sakaq bëri të ditur se paraqitja e prioriteteve nga ana e njësive bashkiake nuk janë vetëm të kryetarëve të tyre, por rrjedhojë e konsultimit dhe votimit të Këshillave të Njësive Bashkiake. Të pranishëm në takimin e djeshëm ishin edhe 5 drejtues të minibashkive, të cilët mbështetën kryetarin e tyre. Kreu i njësisë bashkiake numër. 11, Haki Mustafa, akuzoi Ramën se nuk kishte realizuar asnjë takim me ta për çështjen e buxhetit, “Kur Edi Rama gjeti mundësinë për të bërë dëgjesa publike me disa nga qytetarët e njësive tona, si nuk ka gjetur kohë të takohet me ne që jemi vetëm 11 kryetarë dhe jemi mbrojtësit e komunitetit”, pohoi Mustafa. Kështu shoqata e njësive bashkiake kërkoi që buxheti të rishikohet dhe të bëhen pjesë e tij edhe kërkesat e qytetarëve.