Shoqata e të shpronësuarve “Pronësi me drejtësi”, në koalicion me Polin e Lirisë
Partia Lëvizja për zhvillim Kombëtar nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet me shoqatën e të shpronësuarve “Pronësi me drejtesi”. Përfaqësuesit e kësaj shoqate do të bëjnë pjesë te listat e LZHK-së. Njëkohësisht kjo shoqatë do të jetë pjesë e koalicionit “Poli i lirisë”, koalicion në të cilin bën pjesë edhe LZHK-ja. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehu, deklaroi se zgjidhja e çështjes së pronësisë në Shqipëri dhe në veçanti kthimi dhe kompensimi i pronës pronarëve të ligjshëm, përbën një ndër prioritetet kryesore politike të koalicionit të Polit të Lirisë. “Dy partitë e vjetra që kanë qeverisur në këto tetëmbëdhjetë vjet kanë dështuar me zgjidhjen legjitime të çështjes së pronësisë në Shqipëri”,- u shpreh Shehu. Ai i quajti qëndrimet e partive të mëdha politike ndaj pronarëve të ligjshëm si demagogji dhe mashtrim.
PR: Kritikat ndaj nesh, vetëm për interesa të ngushta elektorale
Partia Republikane reagoi nëpërmjet kryetarit të grupit të kësaj force, Arian Madhi, për çështjen e kompensimit të pronarëve të tokave. Madhi deklaroi se PR-ja është e vetëdijshme për kritikat që mund t’i drejtohen në lidhje me pamundësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje deri sot. “Për hir të së vërtetës zëri i Partisë Republikane në mbrojtje të së drejtës së pronës ka qenë i vazhdueshëm dhe i vendosur, pavarësisht deklaratave tendencioze kundër veprimtarisë së saj që ispirohen nga qëllime të interesit të ngushtë politik të ndonjë kryetari pa parti apo personi që kërkon të faktorizohet nëpërmjet protagonizmit negativ”, - tha Madhi. Sipas tij, kritikat e disa individëve të shoqatës “Pronësi me drejtësi” ndaj veprimtarisë së PR–së për çështjen e pronave inspirohen nga qëllime të interesit te tyre të ngushtë politik.
Meta: “LSI-ja, plan konkret për të ulur koston e jetesës”
Në vazhdën e vizitave për t’u njohur nga afër me hallet dhe shqetësimet e qytetarëve, në kuadër të javës për verifikimin nga afër të kostos së jetesës së qytetarëve shqiptarë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka vizituar dje një furrë buke në Laprakë të Tiranës. Meta bashkëbisedoi me punonjësit e furrës së bukës dhe me qytetarë të ndryshëm që ndodheshin për të blerë bukën në ato momente. Biseda është përqendruar kryesisht në koston e lartë të jetesës në vend, çmimet e larta dhe papunësinë e madhe që është një plagë e rëndë sot për shqiptarët. Ai tha se LSI-ja ka një plan konkret për të ulur koston e jetesës. “LSI-ja ka një plan për të ulur koston e jetesës, sidomos për produktet bazë, për produktet e shportës dhe një nga masat që ne do të marrim është përgjysmimi i TVSH-së për këto produkte nga 20% në 10%, në mënyrë që të ndihmojmë në uljen e çmimeve”.
30 Prill 2009