E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes në spital i dënuari, për plagosje, vuante nga obeziteti

Tiranë- Një i dënuar me katër vjet heqje lirie, për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ka ndërruar jetë në Spitalin e Burgjeve në Tiranë, në rrethana ende të pa qarta. 37-vjeçari nga Shkodra, Shpëtim Karadakliu, ka qenë i shtruar në këtë spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, por ka ndërruar jetë vetëm 19 ditë pasi vendimi ndaj tij kishte marrë formë të prerë nga Gjykata e Apelit. Historia e të ndjerit Karadakliu nuk ka qenë e panjohur për institucionet e drejtësisë, por edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pasi gjendja e tij shëndetësore ka qenë e rënduar edhe gjatë kohës që zhvillohej procesi gjyqësor për një ngjarje të ndodhur 10 vjet të shkuara në Angli. Vdekja e të burgosurit është konfirmuar vetëm nga avokati i tij mbrojtës, i cili ka paralajmëruar se familjarët e të ndjerit do të bëjnë edhe padi ndaj autoriteteve. Por Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali i Burgjeve nuk kanë dhënë asnjë version zyrtar për ngjarjen e ndodhur duke u gdhirë dita e djeshme. Sipas të dhënave, mësohet se Shpëtim Karadakliu është ndaluar nga policia e Shkodrës më 3 shkurt të këtij viti, pasi Gjykata e Apelit të këtij rreth e kishte dënuar atë me 4 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Gjatë procesit gjyqësor, si në shkallën e parë ashtu edhe në Apel, 37-vjeçari ka qenë i shtruar në spitalin e Shkodrës për shkak të problemeve shëndetësore që ai kishte. Sipas mjekëve, përveç obezitetit, Karadakliu vuante dhe nga psoriaza dhe paraparezis, një sëmundje lëkure, si dhe paaftësi për të lëvizur gjymtyrët. Mjekët që e kanë kuruar, kanë deklaruar se ai kishte mbipeshë të theksuar si dhe dëmtime në një unazë vertebrale, çka e bënte shumë të vështirë, madje dhe të pamundur lëvizjen e tij. Për të gjitha këto arsye, gjykatat, por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, fillimisht e kanë pasur tepër të vështirë për të caktuar vendin e vuajtjes së dënimit për 37-vjeçarin, i cili është kuruar për një kohë të gjatë në spital. E me gjithë atë, i sëmuri nuk kishte një kartelë mjekësore të mirëfilltë, për të përcaktuar sëmundjet nga të cilat ai vuante. Fillimisht është kërkuar ngritja e një komisioni mjekësore, për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të të dënuarit, i cili ka vendosur që Shpëtim Karadakliu të qëndrojë në spitalin e burgjeve në kryeqytet, ku do t’i nënshtrohet edhe trajtimit mjekësor. Por vetëm pak ditë pas transferimit të tij në këtë spital, i dënuari ka ndërruar jetë në rrethana ende të pa sqaruara publikisht nga institucionet përkatëse. Ende nuk dihet reagimi i familjarëve të të dënuarit, por nëpërmjet avokatit ata kanë deklaruar se do të padisin autoritetet që vendosën ekzekutimin e vendimit të gjykatës, pasi gjendja shëndetësore e të afërmit të tyre ishte tejet e rënduar. Kjo është vdekja e dytë që ndodh në Spitalin e Burgjeve në harkun kohor të tre muajve. Vetëm pak kohë më parë, një i ri ndërroi jetë për shkak të sëmundjes së HIV-AIDSI-t. Edhe kjo ngjarje nuk u raportua nga autoritetet respektive, të cilat u detyruan të reagojnë dhe të tregojnë masat e marra për këtë çështje, vetëm pas publikimit të lajmit për vdekjen e të dënuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›