Shoqe dhe shokë, Motra dhe vëllezër, Miq dhe të ftuar, Si përherë është një privilegj për mua të marr pjesë në Konferencën e Partisë Socialiste të Gjirokastrës. Ju jeni si org
Shoqe dhe shokë,
Motra dhe vëllezër,
Miq dhe të ftuar,
Si përherë është një privilegj për mua të marr pjesë në Konferencën e Partisë Socialiste të Gjirokastrës. Ju jeni si organizatë një nga modelet e suksesit të socialistëve shqiptarë. Një model suksesi i konfirmuar në çdo palë zgjedhjesh, një model suksesi për shkak të displinës së organizimit dhe shpirtit të veprimit e inisiativës politike, një model ku shfaqet përgjegjësia tradicionale e tabanit të socialistëve për të përballuar problemet që ka vendi, problemet e zhvillimit dhe nevojat e shtresave të gjëra, një model suksesi për shkak të aftësisë dhe tolerancës në procesin e hapjes dhe bashkëpunimit me faktorë të tjerë të progresit nga shoqëria civile, nga komunitete të ndryshme dhe nga fqinjët që kemi në kufi.
Unë jam sot mes jush që të ndihmojmë PS që këtë model suksesi, të përparuar ta konsolidojmë dhe përhapim në të gjithë organizatën socialistë në të gjithë territorin. Sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë për përkushtim atdhetar, sot më shumë se kurrë PS ka nevojë për solidaritet politik dhe qytetar, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njëri-tjetrit, për më tepër aksion bashkues dhe inisiativë vetvepruese, për më tepër disiplinë dhe kohezion parimor, për më tepër aleatë dhe partnerë që e duan Shqipërinë jo më pak se ne.
Këtu në Gjirokastër nuk vihet në diskutim fitorja e socialistëve dhe progresistëve në zgjedhje, as në zgjedhjet e ardhshme. Unë ju përgëzoj për këtë angazhim dhe besim në fitore. Ajo që duhet të ndodhë këtë herë është që të fitojmë edhe Lazaratin, që të hymë natyrshëm në komunitetin e lazaratasve, të na njohin edhe nga afër, veç nga veprat dhe transformimet e mbështetura në financimet buxhetore që si për gjithë Shqipërinë kemi bërë edhe për Lazaratin, të njohin karakterin, ndjenjat dhe vlerat tona politike dhe njerëzore. Unë do të shkoj vetë në Lazarat ditën që do të inaguroj punimet e ujësjellësit të ri.
Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2003, ashtu si ju dhe unë kam bindjen se rezultatet që morëm nuk i përgjigjen elektoratit real të socialistëve dhe progresistëve. Këtë analizë ne e bëmë me shumë përgjegjësi edhe në Kongresin e VI të PSSH vitin që shkoi. Në Kongres e më pas, si Kryetar i Partisë, kam këkrkuar dhe kërkoj një reagim më të gjallë, më me inisiativë, më militant të strukturave të Partisë në mbështetje të reformave për zhvillim, në mbështetje të institucioneve legjislative dhe ekzekutive të maxhorancës që drejtohen prej nesh, në mbështetje të njerëzve që marrin përgjegjësi dhe kosto për të transformuar realitet e trashëguara, jo vetëm nga regjimi i Berishës por edhe nga krizat që ka kaluar vendi në 7 vitet e fundit.
Ndërkaq jo të gjithë po i përgjigjen këtij ritmi. Ende disa organizata socialiste, ende disa Konferenca që po zhvillohen nuk po arrijnë të dallojnë problemet dhe sfidat kombëtare të zhvillimit, me të cilat po përballet me sukses maxhoranca dhe qeveria, nga problemet e vërteta apo qejfmbetjet subjektive që kemi krijuar me njëri tjetrin, shpesh herë pa të drejtë dhe me kosto për të gjithë. Dëshira për karrierë individuale për disa socialistë është kthyer në një re të zezë që na dëmton të gjithëve. Megjithëse zgjedhjet elektorale janë pas një viti, qysh tash kanë filluar ethet e listave të kandidatëve dhe më grindavecë për këtë gjë janë ata individë që veçanërisht kohët e fundit kanë bashkuar zërin e tyre me opozitën, kanë bashkuar deri edhe votën opozitën dhe kanë dëmtuar solidaritetin dhe imazhin e socialistëve në pushtet. Ne nuk do të tundemi nga të qënit parti e hapur, parti e mendimit ndryshe, parti e funksionit demokratik e trasparent me qytetarët dhe partnerët e spektrit politik vendas apo me opinionin ndërkombëtar. Ne nuk do të reshtim së qëni parti e ballafaqimit të ndershëm e luajal me alternativat që sjellin zhvillim e progres, korrigjim e ritëm më të lartë zhvillimi, sepse vetëm në këtë mënyrë partia mbetet e gjallë, vetëm kështu evitohet mplakja, vyshkja apo tharja, vetëm kështu mbetemi konkurues për të fituar betejat e ardhshme elektorale, vetëm kështu mund të udhëheqim procesin mbarëkombëtar të zhvillimit dhe integrimit mbarëkombëtar, rajonal dhe europian, vëtëm kështu ruajmë karakterin tonë politik si parti moderne, për një shtet modern në shërbim të qytetarëve, që i qëndron dhe përmbush misionin programor që ka për të udhëhequr integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Ka dhe nga ata që nuk e ndjekin dot këtë ritëm dhe prandaj freskohen dhe ekipet. Ne nuk kemi mekanizm tjetër të freskimit dhe stimulimit të kuadrove, militantëve, të përfaqësuesve veçse votës së lirë dhe të mbrojtur jo vetëm nga rregullat e një statuti modern, por dhe nga institucione që nuk i ka asnjë parti tjetër në Shqipëri. Ka disa që nuk janë në gjendje të respektojnë rregullat e lojës demokratike, konkurimin e hapur, fitoren apo humbjen. Por këtë sëmundje të tyre nuk mund të lejojmë t'ia faturojnë partisë dhe institucioneve apo rregullave të saj demokratike, nuk mund të lejojmë që paaftësinë e tyre dhe pafuqinë e tyre për të fituar, - të fitosh do të thotë t'ia mbushësh mendjen shumicës, - t'ia faturojnë karakterit të partisë sonë. Ne nuk jemi dhe nuk do të bëhemi kurrë parti e përjashtimit, nuk bëhemi kurrë parti e tipit berishian. Ka nga këta djem dhe vajza që të gjithë i njohim, që partia i rriti dhe që vazhdojnë të akuzojnë partinë tonë si parti staliniste. Më thoni në ç'parti staliniste këta bij e bija do të vazhdonin të mbeteshin deputetë të saj dhe të bënin jetën e tyre – e theksoj – jetën e tyre politike dhe jo të PS? Në cilën parti staliniste mund të ndodhi ndonjë gjë e tillë? Një parti nuk mund të jetë staliniste atëherë kur ti humbet, dhe demokratike kur ti fiton brenda saj. Prandaj unë i këshilloj këta shokë, këta djem e vajza që janë bërë burra e gra, dhe besoj se me mua bashkoheni edhe ju, që helmin e humbjes personale ta përthajnë me qetësi, ne jemi për t'i ndihmuar dhe kuruar në këtë funksion, por të mos helmojnë partine dhe elektoratin e saj. Ata që nuk kanë mundur të konkurojnë dhe fitojnë në një parti si e jona, unë jam i sigurtë dhe ky besim vjen nga ju, që kurrë nuk do të mund të fitojnë duke u ndeshur me Partinë Socialiste.
Të dashur shoqe, të dashur shokë,
unë po dëgjoj me shumë vëmendje edhe diskutimet tuaja dhe deklaroj me përgjegjësi dhe solemnitet se kam të njëjtin shqetësim për fatin e reformave, për nevojën për më shumë mirëqënie, për më shumë punësim, për më shumë ndershmëri dhe transparencë, për më shumë rend dhe drejtësi dhe gjithçka tjetër që lidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve shqiptarë që po i afrohen standarteve europiane. Këto janë pjesë e shqetësimeve dhe veprimit të përditshëm edhe të qeverisë. Unë jam i bindur se të gjithë në këtë sallë shqetësimet i ngremë për t'i zgjidhur dhe jo për të denigruar Partinë Socialiste dhe aq më pak qeverinë e saj, siç bëjnë të tjerë jashtë këtyre sallave.
Edhe pas 60 vjetësh bota moderne ku po integrohemi, përkujton rregullisht fitoren e Luftës Antifashiste dhe na sjell në vëmendje se pjella si Hitleri bëjnë gjëmën kur marrin pushtetin. Ndërsa disa socalistë të vetshpallur "objektivë" apo "trima" refuzojnë të kthejnë kokën vetëm 7 vjet më parë për të parë humnerën ku e kishte hedhur Shqipërinë regjimi i Berishës dhe na nxisin ta harrojmë Berishën. Madje kërkojnë të na mbushin mendjen se Berisha ka ndryshuar. E patë se çfarë erë bie tre ditë në Kuvendin e Shqipërisë i njëjti Berishë.
E kam theksuar dhe do të vazhdoj të përsëris pa u lodhur se socialistët, progresistët dhe aletatët tanë për zhvillim nga e gjithë shoqëria dhe sipërmarrja ndjehen dhe do të vazhdojnë të ndjehen krenarë për transformimim e madh që kemi sjellë në këta 7 vite qeverisje, duke e kthyer Shqipërinë nga problemin e Europës në aspirante për t'u integruar në BE dhe në NATO, nga një vend me shtet e shkolla të rrënuara në një shtet që po i arrin me mundim por në mënyrë të pakthyeshme standartet euroatlantike. Përndryshe pse na vizitojnë, pse na ftojnë, pse na mbështesin dhe pse na nxisin për më mirë faktorët dhe përfaqësuesit e demokracive më të mëdha që udhëheqin zhvilimin global. Këtë realitet unë ashtu si ju, ju ashtu si unë, nuk presim të na e vlerësojë Sali Berisha, sepse ne besojnë se kemi aftësitë për të komunikuar dhe për të shkëmbyer mendjet dhe vlerat me 3 milionë shqiptarët që jetojnë më mirë çdo ditë, më të qetë, më të sigurt, më me shpresë se kurrë. Ilir Meta dje tha se i paska humbur ajo gruaja e Beratit që u shqetësua për solidaritetin mes socialistëve para dy vjetësh. Tani çdo njeri që ikën nga Shqipëria nuk ikën nga halli, por edhe nga qejfi, sepse po bëhen më të mundshme lëvizjet e lira. Këtë realitet që konstatoi Ilir Meta dje, unë e preka në Konferencën e Beratit para pak ditësh si një nga aspektet dhe provat e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë shqiptare, që lejon edhe mundësi punësimi apo bashkim familjesh me fëmijët që janë sistemuar në vendet fqinje.
Unë mund të jap shumë shifra për gjithë progresin që kemi sjellë në Shqipëri, por minoritarët dhe maxhoritarët, ju të gjithë nuk keni nevojë për këtë renditje shifrash sot, pasi rrugën deri në kufirin më të afërt me Europën e Bashkuar, e keni më të mirë se autostrada Tiranë-Durrës. Unë mund të them para jush shifra për arsimin, por edhe pa i thënë ato, më lejoni t'ju them se ne, socialistëve, njerëzit na besojnë fëmijët e tyre të cilët i janë kthyer shkollës, siç e dëshmoi edhe takimi në shkollën e mesme të Beratit, godinën moderne të së cilës e inauguruam bashkarisht pak ditë më parë, apo dhjetra e dhjetra shkollave të tjera të reja tashmë anembanë atdheut.
Unë mund t'ju jap shifra për shëndetësinë, por besoj se është më rëndësishme të kujtojmë se mjekëve tanë duarartë u besojnë qindra pacientë, që janë kuruar tashmë në spitalet moderne të Durrësit apo Shkodrës. Na besojnë mijëra të tjerë që përfitojnë barna dhe ilaçe falas apo me çmime të subvencionuara, sipas programit të qeverisë sonë, gjë që ka përmirësuar ndjeshëm këtë shërbim për të gjitha shtresat.
Unë mund t'ju jap shifra për rrugët, por më e rëndësishme është që ato po përshkohen çdo ditë nga qindra mijëra automjete që lëvizin njerëzit, mallrat apo shërbimet.
Unë mund t'ju jap shifra për progresin e rendit apo të ushtrisë, por askush nuk mund të dyshojë se djemtë tanë po kontribuojnë për paqen dhe rendin demokratik në Afganistan, Bosnjë dhe Irak, të cilët i vlerësoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së fundit në Shqipëri dhe këta janë trimat e vërtetë që na shtojnë krenarinë kombëtare dhe jo ata që kakarisin. Është pikërisht veprimtaria e tyre e standarteve të larta që, së bashku me kuadrin e plotë të reformave demokratike të vendit, tashmë na kanë afruar përfundimisht me NATO-n.
Unë e di se niveli i jetesës në Shqipëri, pavarësisht ndryshimeve, është ende larg standarteve evropiane, por nuk mund të pranoj spekullimin politik se varëria po rritet, kur institucionet e pavarura që merren me këtë fushë thonë të kundërtën.
Unë e di se trafiqet ende kanë bishtat dhe prapavijat e tyre mes nesh dhe tentojnë t'i shpëtojnë ndëshkimit të shtetit ligjor, por nuk mund të pranojmë të harrohet ajo që kemi bërë që nga Kakavija e Lazarati, deri në mbylljen e industrisë së skafeve, ku nuk mund të mos vlerësohet roli i fortë i shtetit në goditjen e tyre.
Une e di se korrupsioni është ende një pengesë për progresin e shpejtë dhe produktin, por mos të harrojmë se sot po përballemi me individë të korruptuar, ndërsa jo shumë larg në kohë, ky fenomen jo vetëm nuk luftohej, por madje drejtohej dhe organizohej nga segmente të vetë shtetit dhe kujtoj këtu bordet e privatizimit me bandat dhe oficerët e SHIK-ut brenda tyre.
Motra e vëllezër,
Për mua, si Fatos Nano, sa thashë më sipër janë shumë më tepër se një vend pune i mohuar, janë shumë më tepër se tenderi i rradhës i pafituar, janë shumë më tepër se inatet apo mëritë që me apo pa të drejtë ngremë mbi njëri-tjetrin. Ajo që na bashkon është Shqipëria reale që rezulton krejtësisht e trasformuar dhe gjithnjë e më pranë standarteve të botës moderne. Ajo që na bashkon më shumë është projektimi i një të ardhmeje të sigurt euroatlantike të Shqipërisë, të ardhme që po e afrojmë gjithnjë e më shumë duke punuar së bashku.
Atëherë cila është alternativa? Sipas të paqartëve, të painformuarve, të të korruptuarve, të abuzuesve me mandatin tuaj politik apo të kriminelëve dhe keqbërësve, ne të dorëzojmë pushtetin në duart e papërgjegjshme të Berishës, se në Shqipëri paska korrupsion? Kush më shumë se ne e ka luftuar korrupsionin? Berisha që shkatërroi dhe përthau kursimet e një populli të tërë me piramidat e tij të famshme dhe provën totale të papërgjegjshmërisë në qeverisje? Të lemë pushtetin se në Shqipëri ka ende krim dhe kriminelë? Kush më shumë se ne e ka luftuar këtë fenomen dhe gjithë hartën e tij territoriale, që në vitin '97, kur u futëm në zyra të shkatërruara dhe kontrollonim vetëm bulevardin qëndror të Tiranës. Ndërsa tani siguria dhe qetësia është kthyer përfundimisht në Shqipëri. E dini lajmin më të fundit? Dje Blendi Klosi dhe deputeti kërcimtar i PD organizuan festivalin folklorik në Bajram Curri. Kur krimi po luftohet ashpër dhe në mënyrë ligjore, kush më mirë se ne e ka goditur atë? E dini problemin me buxhetin shtesë që miratuam, duhet të financojmë më shumë për të përmirësuar burgjet se janë stërmbushur nga kriminelët që kemi bllokuar.
Ta lëmë pushtetin se ka ende në Shqipëri shkolla e spitale të rrënuara. Në këtë gjendje ne i gjetëm të gjitha shkollat dhe spitalet dhe z.Berisha e mban mend fort mirë sesi na e ka dorëzuar Shqipërinë, pa iventar madje, ndërsa numri i shkollave dhe i spitaleve të rinj sa vjen dhe rritet dhe cilësia e shërbimit në to po përmirësohet gjithashtu, krahas goditjes së korrupsionit dhe të gjithkujt që përfshihet në të në shërbimet jetike për popullatën.
Ç'të bëjmë atëherë? Ta lemë pushtetin sepse Meta, Muci apo Prifti janë të pakënaqur me mungesën e posteve që i kanë pas fituar vetëm nga kjo maxhorancë dhe i mban mendja se nuk kemi punë tjetër veçse t'i bëjmë ata vetëm kryeministra apo ministra.
Idetë, pikëpamjet apo alternativat mund të jenë të ndryshme, ndërsa morali është ose i bardhë ose i zi. Ka një shprehje popullore që thotë "kakarisin si gjeli majë plehut". E pra, këta zotërinj që pretendojnë se paskan mes socialistëve monopolin e ndershmërisë, të përkushtimit, të devotshmërisë, të aftësisë, të suksesit etj. të paktën të kenë moralin dhe kurajon të mos na kakarisin mbi plehun e Berishës apo nga koteci i tij. Këta pretendojnë se ju i doni shumë dhe se juve ju pengon Nano ta shfaqni dashurinë e papërmbajtur për ta. Unë nuk e di si i pengova në vitin ‘96 kur nisa nga burgu lëvizjen "mocion për debat për ndryshim në PSSH". Unë nuk e di se si i pengova në vitin ‘98 apo '99 kur dhashë dorëheqjen si Kryeministër dhe Kryetar Partie për t'u përfshirë në konkurimin për përmirësim të rregullave të funksionimit demokratik të partisë. Unë nuk e di se si i pengova në vitin 2001 kur nuk kisha asnjë titull ekzekutiv dha ndala së bashku me ju shndërrimin e partisë sonë në shtojcë të qeverisë. Unë nuk e di se si i pengova këta djem dhe vajza, që tani janë bërë burra dhe gra, kur në vitin 2002, në emër të bashkëpunimit dhe solidaritetit socialist, të integrimit dhe bashkimit të vlerave, mora Ilir Metën si zëvendësin tim në qeveri. Për më tepër, unë nuk e di se si i paskam detyruar të shndërrohen në opozitë brenda dhe kundër PSSH dhe të rreshtohen politikisht e moralisht në krah të Berishës me objektivin e vetëm të largimit të Fatos Nanos dhe socialistëve e progresistëve nga pushteti. Kjo është platforma e këtij grupimi të vockël.
Shoqe dhe shokë,
Unë po kryej detyrat që më keni ngarkuar me votën suaj. Prandaj jam këtu për të vazhduar të komunikoj dhe jap llogari për kryerjen e detyrave. Jam i detyruar të respektoj mandatet tuaja dhe t'ju pyes sinqerisht, çfarë mund të bëjmë më mirë? Zgjedhjet parlamentare nuk janë larg. Nëse mendoni se ne duhet të dalim spontanisht në opozitë, le ta bëjmë rrugën më të lehtë për aventurierët. Nëse mendoni, dhe jam i bindur se kështu e vlerësoni, se ne e meritojmë të votohemi sërish si maxhorancë, shkunduni. Mos prisni që vendimet t'i marr unë, por veproni. Gjatë gjithë kësaj periudhe që në organizatat e rretheve zhvilloheshin analizat dhe zgjedhjet më kanë mbërritur një numër rekord letrash nga anëtarësia dhe drejtues lokalë të partisë. Më lejoni të rrëfehem se pothuajse të gjitha letrat kanë ankime apo akuza xhelozie për konkurentët e vet në detyra përfaqësuese apo në detyra administrate. Nuk kam kthyer asnjë përgjigje me letra, vazhdoj të komunikoj me sallën dhe në publik, sepse unë, anëtarësia dhe elektorati presim tjetër gjë, përcaktimin e problemeve, gjetjen e zgjidhjeve dhe sidomos angazhimin militant dhe solidar për të përballuar sëbashku sfidat e zhvillimit dhe të stabilitetit demokratik të vendit. Të gjithë ata që më shkruajnë për çështje të tilla i ftoj ta mësojnë njëherë e përgjithmonë se unë nuk dal mbi vendimet e statutit, të organizatave, të Këshillave Zonale, të Konferencave apo të forumeve qendrore të Partisë. Nëse nuk arrini të merreni vesh me njëri-tjetrin, me shokët e të njëjtës organizate apo forum, mos shpresoni të merreni vesh me mua apo Kryesinë e Partisë. Ka edhe më keq. Disa shokë kanë filluar të punojnë qysh tani vetëm duke menduar dhe duke bërë intriga se si do të futen në listat e kandidatëve për deputetë, duke tentuar të shmangin dhe të kompromentojnë momentin procedurial, ditën e arsyetimit nga partia dhe të vendimmarrjes, që i takon anëtarësisë dhe forumeve drejtuese të partisë që nxori Kongresi.
Ne nuk mund të kandidojmë më deputetë që mandatin e kanë bërë leckë nëpër birraritë e Tiranës apo në kulisat e intrigave për të bllokuar apo rrëzuar qeverinë tuaj. Ne nuk mund të pranojmë të kandidojmë më deputetë që kënaqen kur Berisha shan me libër shtëpie kryetarin e maxhorancës apo kryetarin e Kuvendit, sekretarin e përgjithshëm apo deputetin e paepur Erion Braçe, apo anëtarët e kabinetit qeveritar, të gjithë militantët dhe njerëzit e sakrificës që ne kemi zgjedhur në të gjitha nivelet, ku nuk kalon krimi dhe korrupsioni i Berishës. Ne nuk mund të kandidojmë më deputetë individë që ditën kërkojnë financime dhe padrejtësi në tendera nga ministrat, ndërsa natën i diskretitojnë duke ndotur me intriga shtypin e së nesërmes. Jo. Kjo nuk mund të vazhdojë. Partia është nje bashkim vullnetar njërëzish, që ndajnë të njëjtat ideale dhe angazhime parimore, ndërsa deputetët janë përfaqsues të interesave më të gjera poltike, kombëtare dhe të zonave ku votohen, prandaj ata janë shërbëtorë të interesave të zgjedhësve. Poza prej të pavaruri, pasi i janë sjellë e përsjellë partisë për mbështetje, nuk mund të falet më. Ne nuk do ta lejojmë që raste të tillë të përsëriten. Ju nuk do ta lejoni këtë gjë.
Prandaj kërkoj nga ju të nderuar delegatë që këto mesazhe t'i përcillni në çdo Këshill Zonal, në çdo organizatë, tek çdo anëtar i partisë. Të gjithë duhet ta kemi të qartë që misioni ynë progresist për të ndërtuar një Shqipërie europaine do të vihet në rrezik nëse këtë herë nuk do të përzgjedhim dhe bëjmë më të mirën e mundshme, të përzgjedhim me kujdes individët që përfaqsojnë më mirë dhe në mënyrë më të garantuar se të tjerët interesat tona politike dhe interesat e masave të gjëra të njërezvë, që kemi udhëhequr drejt zhvillimit dhe integrimit për 7 vjet me radhë. Masa që jam i bindur që nuk e kanë vënë në asnjë çast në dyshim ndershmërinë dhe përkushtimin tonë politik. Unë kam besim në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 nga socialistët dhe progresitët jo vetëm në Gjirokastër por në shkallë vendi, kam besim tek anëtarësia jonë e mrekullueshme, tek aftësitë tona për të reflektuar dhe korrigjuar, kam besim dhe bindje se premtimet që kemi dhënë 4 vjet më parë ashtu si 7 vjet më parë, do t'i përmbushim 100 % deri ne fund të mandatit dhe kështu maxhoranca e zgjedhësve shqiptarë do të na besojë sërish.
Punë të mbarë!