E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqe dhe shokë, anëtarë të KPD-së, Të nderuar deputetë pjesëmarrës, PSSH ka mbyllur një vit të suksesshëm politik, qeverisës dhe elektoral, duke ruajtur traditën e përmbushjes së

Shoqe dhe shokë, anëtarë të KPD-së,
Të nderuar deputetë pjesëmarrës,

PSSH ka mbyllur një vit të suksesshëm politik, qeverisës dhe elektoral, duke ruajtur traditën e përmbushjes së objektivave tona themelore dhe duke marrë njëkohësish mbi vete përballë anëtarëve dhe qytetarëve të vendit që na kanë besuar të qeverisim, përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë, përgjegjësitë për sfida të reja në rrugën e transformimit reformues për integrimin më të shpejtë të Shqipërisë, në komunitetin euroatlantik. Në mënyrë të veçantë, nisja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë në BE, fitorja e zgjedhjeve vendore të 12 tetorit 2003 dhe Kongresi ynë i 6-të, ishin tre ngjarjet dhe arritjet më të spikatura të PS-së dhe të maxhorancës që ne socialistët drejtojmë, për vitin që u mbyll.

Përfundimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në BE, konsolidimi i pëtejshëm i arritjeve në ndërtimin e shtetit të së drejtës, i një ekonomie moderne dhe funksionuese të tregut, rritja e qëndrueshme e investimeve, çelja e vendeve të punës për rritjen e mirëqënies, ngritja e pandërprerë e standarteve të arsimimit dhe të shëndetit publik, si dhe forcimi i rezultateve dhe i kapaciteteve në luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar, korrupsionit etj, që janë objektivat tona themelore politike dhe qeverisëse për 2004, kërkojnë një angazhim të ri të gjithë përfaqësuesve tanë politikë dhe qeverisës, qëndrorë dhe vendorë.

Kjo paketë angazhimesh të reja publike është përmbledhur në substancë në dokumentat që KPD shqyrton dhe miraton sot, pra në programin e veprimit politik të PSSH-së për vitin 2004 dhe veçanërisht në Platformën e Kuvendimit të Madh të socialistëve dhe progresistëve me shoqërinë shqiptare dhe me publikun.

Në thelb të këtij programi, pra të kësaj platforme gjithashtu, qëndron bindja jonë e patundur se PS dhe forcat e progresit në bashkëbisedim të pandërprerë dhe të organizuar me komunitetet, shtresat, grupmoshat a profesionet e ndryshme të shoqërisë shqiptare mund dhe do të bëjnë më tepër, shumë më tepër, për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, për rritjen e mirëqënies, për zhvillimin e sipërmarrjes, për integrimin më të shpejtë të vendit në realitetet globale të Botës moderne.

Me këtë aksion të madh politik ne priremi për të hequr dorë përfundimisht nga praktikat e kontaktimit të njerëzve vetëm në fushata elektorale dhe synojmë të krijojmë hapësirat e nevojshme që çdo shtetas, shtresë apo grup shoqëror të shndërrohet në një institucion të shoqërisë civile shqiptare për nxitjen, përmirësimin, monitorimin e politikbërjes dhe vendimmarrjes qeverisëse.

Në këta shtatë vite të qeverisjes sonë kemi arritur të bejmë shumë në drejtim të hapjes së shoqërisë civile, si dhe për integrimin e saj në përmirësimin e punëve, të realiteteve dhe të imazhit të Shqipërisë së re. Por ne vlerësojmë se kemi ende shumë për të bërë, kemi ende sfida të rëndësishme për të përballuar në partneritet me të tjerë jashtë politikës, prandaj do të vazhdojmë të thellojmë këtë proçes hapjeje deri në nivelet vendore. Me këtë kuvendim të strukturuar dhe programor për çështjet më të spikatura që i interesojnë shtetasve shqiptarë ne dëshirojmë të theksojmë dhe të realizojmë një ndryshim të madh, sipas të cilit anëtarët e partisë apo të zgjedhurit në forumet e saj, nuk mund të sillen më thjesht dhe vetëm si punëkërkues apo privilegjkërkues. Në kemi privilegjin e madh të qeverisjes së Shqipërisë drejt mopdernizimit dhe integrimit euroatlantik, prandaj po riorganizohemi për ta merituar këtë privilegj edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.

Vetëm duke njohur dhe kuptuar në imtësi jetën e përditshme dhe reale të njerëzve, nevojat, interesat dhe përparësitë e tyre për zhvillim, vetëm duke i kthyer këta në elementë bazë të hartimit dhe të zbatimit të politikave tona kombëtare, rajonale apo lokale të zhvillimit, do të mund të mbledhim rreth vetes një konsensus të gjerë dhe të vazhdueshëm për të shtrirë dhe ndarë me shoqërinë shqiptare kostot e sfidave dhe reformave të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Ky proçes bashkëbisedimi dhe partneriteti që po nisim nuk është një shpikje elektorale e jona por një përshkallëzim i natyrshëm i proçesit tonë të brendshëm transformues gjithashtu.

Që në vitin 1997 ne krijuam një qeverisje me bazën më të gjerë në historinë e Shqipërisë pluraliste, duke arritur me sukses pajtimin e vërtetë shoqëror dhe kombëtar të vend. Po atë vit shpallëm dhe fituam aplikimin e parimit të gjithëpërfshirjes dhe të meritokracisë, principe që vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot mbi bazën e qeverisjes sonë.

Në vitin '98 ne nuk nguruam të integrojmë në qeverisjen tonë përfaqësues të spikatur të shoqërisë civile.

Në vitin '99, në Kongresin e Tretë të PSSH morëm dhe nisëm të zbatojmë vendime të rëndësishme për rritjen e rolit të anëtarësisë nëpërmjet decentralizimit të vendimmarrjes si dhe rolin e antarësisë dhe sjelljen e frymës së saj në vet drejtimin e partisë.

Në vitin 2001, në Kongresin e Pestë ne e shpallën Partinë Socialiste "Parti të Sipërmarrjes Politike dhe Sociale", duke përmirësuar më tej programet tona politike dhe qeverisëse në drejtim të mbrojtjes dhe nxitjes së iniciativave të lira në ekonomi, në politikë, në dije, shkencë dhe në iniciativën sociale.

Prej disa vitesh ne kemi hyrë në një proçes të plotë dhe më të thellë edhe të decentralizimit të qeverisjes, pra të pushtetit, dhe të rritjes së aftësive menaxhuese të resurseve lokale nga të zgjedhurit apo shërbëtorët civilë në dobi të çdo komuniteti vendor. Nëpërmjet këtij procesi po arrijmë të konsolidojmë një model më efektiv të shfrytëzimit të resurseve kombëtare dhe atyre lokale për zhvillim dhe integrim, të integrojmë pra më shumë aktorë për përparimin e vendit.

Mbi këtë traditë të suksesshme, ne tashmë kemi fituar pjekurinë, energjitë dhe ekipet e nevojshme për t'u shtrirë në mënyrë të organizuar në një Kuvendim të hapur në të gjithë territorin e vendit, në çdo komunë e bashki, në çdo fshat e lagje, madje pse jo edhe në çdo familje.

Gjatë Kuvendimit të Madh, duke nisur nga unë si Kryetar i PSSH dhe Kryeministër, anëtarët e Kryesisë, të KPD-së, të qeverisë, të Grupit tonë Parlamentar, anëtarët e Koalicionit për Integrim janë të ftuar gjithashtu, të zgjedhurit vendorë e deri tek anëtarët e thjeshtë në çdo organizate socialiste pranë zonave dhe qendrave elektorale, do takojnë dhe integrojnë për përballimin e sfidave kombëtare dhe lokale të zhvillimit të gjithë përfaqësuesit e komunitetetve të njerëzve, të gjithë profesionistët dhe ekspertët, të gjitha gjinitë dhe grupmoshat.

Ky bashkëbisedim do të synohet të mishërohet në hartimin e një platforme elektorale fituese për zgjedhjet e vitit 2005, sepse do të ketë të integruar në të mendimin më të gjerë, më përfaqësues, më të kualifikuar dhe më realist të gjithë shoqërisë shqiptare për të përshpejtuar ritmet e reformave, të transformimeve, të rritjes dhe të integrimit.

Në fazën e parë të Kuvendimit të Madh ne do të synojmë të tërheqim mendimin e njerëzve për çështjet kryesore të zhvillimit dhe integrimit, kombëtar dhe vendor. Komisionet e përherëshme të KPD-së, në bashkëveprim të ngushtë me përfaqësuesit tanë që drejtojnë institucionet ekzekutive dhe Komisionet e Përherëshme të Kuvendit, sipas fushave që mbulojnë do të hartojnë listat dhe planet e veprimit për çështje që gjykohen më sensitive për qeverisjen, për zhvillimin e vendit dhe të reformave dhe për zgjidhjen e problemeve fondamentale të komuniteteve të njerëzve në çdo skaj.

Në fazën e dytë do të diskutohen me komunitetet politikat e përpunuara nga forumet dhe institucionet tona përfaqësuese dhe vendimmarrëse në bazë të problematikës dhe ideve të grumbulluara nga faza e parë e Kuvendimit të Madh.

Në fazën e tretë ne do të kryejmë një vendimmarrje ligjore dhe institucionale, do të përmirësojmë strategjinë dhe programet e zhvillimit, do të nisim të zbatojmë politika të përmirësuara në monitorim të komuniteteve në mënyrë të pandërprerë.

Shoqe dhe shokë,
Fillimi i aksionit të Kuvendimit të Madh me fushatën e zgjedhjeve të reja të strukturave dhe forumeve lokale të Partisë është hapi ynë deçiziv. Le të shërbejnë këto dy veprimtari për t'a nxjerrë punën e Partisë nga kufijtë lokal në kufij komunitar, pra për t'a hapur sa më shumë drejt njerëzve ku ne ushtrojmë jetën e Partisë dhe veprimatrinë përfaqësuese a qeverisëse. Nëpërmjet këtij bashkëbisedimi ne synojmë t'i japim vetes rastin të dëshmojmë para komuniteteve të shtetasve të këtij vendi kudo ku jetojnë dhe punojnë ata, se ne nuk jemi thjesht ushtarë të Partisë, por aktorë dhe faktorë që nxisim progresin, që kanë besim tek idealet e zhvillimit dhe të integrimit në botën moderne, tek potencialet e shkëlqyera të vendit dhe të njerëzve të tij, tek programi dhe ekipet tona qeverisëse e reforma.

Analiza e rezultateve të dy viteve pune mes dy Konferencave si dhe serioziteti në zhvillimin e Kuvendimit të Madh në nivele vendore do të shërbejë si tregues për vlerësimin e meritokracisë dhe të kontributeve militante të secilit anëtar apo të zgjedhur. Përfundimisht, angazhimi vetëm për fushata elektorale, për shkak dhe të përvojës së zgjedhjeve të fundit administrative, është i pamjaftueshëm dhe do të lihet pas për të mbajtur pranë dhe për të shtuar konsensusin popullor rreth reformave europianizuese që po udhëheqin socialistët dhe progresistët. Ne nuk mund të lejojmë më që koha mes dy fushatave të shfrytëzohet për karrierë të pamerituar, për klane e fraksione interesash ilegjitime që shpesh herë e kanë dëmtuar Partinë dhe reputacionin e saj në komunitetet e njerëzve. Interesat tona legjitime realizohen më së miri duke shpejtuar rritmet e rritjes ekonomike për të gjithë, dhe jo për grupe privatësh, duke i kthyer produktet e reformave në realitete të prekshme nga të gjithë dhe jo vetëm për individë arrogantë, duke nxitur sipërmarrjen – vecanërisht atë të vogël dhe të mesme për t'i ndihmuar përfaqësuesit e vërtetë të kontributit shoqëror dhe të përfaqësimit të vendit në Botën moderne në mënyrë konkuruese të bëhen më të mëdhenj, të ndihmojmë prindërit të rrisin fëmijë të shëndetshëm dhe të arsimuar sipas standarteve të kompeticionit global, të bëjmë të mundur që çdo shqiptar të ndihet zot në pronën dhe vendin e vet, duke zgjeruar hapësirat e pjesëmarrjes të integrimit në shoqërinë dhe në tregun kombëtar edhe për shtresat e ish të përndjekurve politikë, duke shtuar peshën e grave, nënave dhe motrave tona për ideimin dhe realizimin e projekteve të sotme dhe të ardhme në të mirë të të gjithëve.

Me Kuvendimin e Madh, nëpërmjet një kontakti të pandërprerë me çdo shtetas, shtresë, grupmoshe apo aktorë interesi etj, ne synojmë të arrijmë të përmirësohet zbatimi i vlerave universale të së majtës për humanizëm, solidaritet dhe drejtësi sociale.

Me këtë dialog dhe ndërveprim të hapur dhe të pandërprerë ne do të krijojmë hapësira të reja bashkëpunimi edhe me aleatët e Koalicionit për Integrim, me të gjitha forcat e tjera progresiste të spektrit politik, me shoqërinë civile shqiptare, me komunitetet e ekspertëve dhe profesionistëve, gjithashtu.

Me Kuvendimin e Madh ne duam të arrijmë tek çdo individ, tek çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve të tij politike, përkatësive fetare, gjinore apo moshore.

Në këtë mënyrë, ne duam të arrijmë që çdo qytetar apo fermer, pavarësisht nga statusi social, gjinor a pasuror, moshor a social, të kontribuojë dhe përfitojë drejtpërdrejtë nga qeverisja dhe progresi.

Ky dialog është njëkohësisht një sfidë për ne socialistët dhe progresistët. Ai kërkon një organizim perfekt, energji, durim dhe mbi të gjitha pasion. Ai kërkon që disiplina politike e anëtarëve, të zgjedhurve dhe përfaqësuesve të PSSH në qeverisje, të jetë maksimale, për të mos rrezikuar që proçesi të përfundojë në "muhabet për muhabet".

Me këtë proçes dialogu dhe partneriteti politik dhe shoqëror me shtetasit, i cili nis që sot, ne nuk kërkojmë të rikthehemi në praktikat e dështuara të Partisë – shtet. Kërkojmë që Partia dhe maxhoranca të shndërrohet në një promotor të konsolidimit dhe morenizimit të mëtejshëm të demokracisë sociale dhe të institucioneve përfaqësuese të saj në Shqipëri.

Me këtë proçes ne nuk po kërkojmë të zëvendësojmë punën detyrat dhe përgjegjësitë kushtetuese apo ligjore të institucioneve të shtetit apo titullarëve të tyre. Ne po synojmë të shtojmë dhe të shumëfishojmë aktorët dhe faktorët e progresit në kontributet për qeverisjen europiane të vendit.

Me Kuvendimin e Madh ne nuk synojmë të ngushtojmë hapësirat e opozitës apo të shoqërisë civile. Përkundrazi po institucionalizojmë një marrëdhënie të re dhe të drejtpërdrejtë me shoqërinë dhe përfaqësesit e saj, atje ku edhe opozita dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë të gjitha shanset të konsolidohen si institucione që i shërbejnë progresit, transformimeve dhe integrimit më të shpejtë të Atdheut tonë në Evropën moderne.

Shoqe dhe shokë.
Realizimi me sukses i këtij Projekti të madh ka një rëndësi jetike edhe për ne socialistët dhe progresistët, sepse vetëm mbi këtë bazë do të gatuajmë dhe garantojmë fitoren e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Vetëm mbi këtë bazë do të ndihmojmë vetveten për të strukturuar një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshme në kohë me qytetarët dhe fermerët e vendit, të cilëve u shërbejmë.

Përfundimisht, duke nisur Kuvendimin e Madh, ne realizojmë më së miri edhe vet objektivin tonë themelor politik:

Të vëmë shtetin në shërbim të shtetasve.

Ju uroj punë të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›