E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shoqëri në krizë, politikë në valle"

 

Shoqëria shqiptare në këtë tranzicion tmerrësisht të pafund, ka afro dy dekada që përballet egërsisht me një konglomerat problemesh, trysnish dhe shqetësimesh social-ekonomike.

Ajo po ndeshet përherë e më tepër me fenomenin e papunësisë, me pagat dhe pensionet si në Afrikë dhe me çmimet si në Amerikë, me korrupsionin shtetëror dhe krimin e organizuar, me infrastrukturën skandaloze, me abuzimet në administratën shtetërore, me dukuritë e mungesës së rendit e të sigurisë, me skamjen dhe varfërinë që thellohet dhe agravon nga dita në dite. Populli dhe banorët e Gërdecit janë në kulmin e dëshpërimit pasi akoma kanë nëpër këmbë krizën morale, shpirtërore, politike, financiare dhe ekonomike që shkaktoi tragjedia e paprecedentë e Gërdecit.

Theksojmë dhe njëherazi tërheqim vëmendjen se ndonëse kanë kaluar më shumë se pesë javë nga ngjarja makabre, asgjë nuk është bërë për likuidimin e pasojave përkundrazi, rreth e qark rajonit, ngado që të hedhësh sytë shikon vetëm një mjedis rrënojash, shkatërrimesh, pajisje e orendi të papërdorshme, bagëti të ngordhura, njerëzit janë në qiell të hapur, pa strehë dhe në kulmin e pakënaqësisë e të zemërimit dhe po përshkallëzojnë ankesat dhe protestat ndaj qeverisë.

Shoqërisë shqiptare vazhdon t'i qëndrojë si shpata e Demokleut, padrejtësia e gjyqësorit, prezenca e hakmarrjes, ngujimit dhe vetëgjyqësisë.

Përballë kësaj situate anormale, kaosi, përkeqësimi e depresioni çuditërisht, politika në përgjithësi dhe mazhoranca qeverisëse në veçanti, në eufori dhe ekzaltim të pashoq e fare të pakuptim, trumbeton, hedh valle, harliset, fluturon dhe numëron sukseset që askush nuk i shijon, prek dhe shikon.

Qeveria reklamon, tund dhe propagandon si triumf, kartën e ftesës për në NATO gjatë mitingjeve dhe koncerteve festive, ku gati u shqyen mikrofonët dhe ekranet televizive nga ulërimat histerike të Kryeministrit dhe politikanëve, duke harruar fatkeqësinë e Gërdecit.

Po me kaq emocion e impresionim tundet dhe reklamohet Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit. Një zhurmë e paparë dhe një impenjim maksimal për të prodhuar vetëm retorikë, llafe pafund, demagogji, bujë, broçkulla fantastike dhe askush nuk merret me problematikën e ditës.

Thuhet se po punojmë e po bëjmë reforma, por që në fakt nuk bëjmë asgjë pasi po tentohet të arnohet e të gjymtohet Kushtetuta. Shkurt, anija qeverisëse po mbytet, duhet dhënë sinjali "SOS!".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›