Shoqëria jonë ka ende probleme kulturore në respektimin e jetës private
Personalisht mendoj se shoqëria jonë ka ende probleme kulturore në respektimin e parametrave midis pjesës publike dhe private të jetës së njeriut, që pengojnë vendosjen dhe respektimin e “standardit social”, bazë e qytetërimit modern, që ka të bëjë me respektimin e jetës private të njeriut, me respektimin si qenie sociale dhe individuale, sidomos në të drejtën themelore të jetës së lirë, që secili të ketë jetë intime të përveç me, të pacenueshme në privatësinë personale.
Jo vetëm duket, por është realisht ekzistente një situatë paradoksale në shoqërinë tonë lidhur më këto dy pjesë të pandara të jetës së njeriut. Ky problem social është dukuri që shfaqet në nivele të ndryshme dhe e diversifikuar në jetën e personave publikë (VIP) dhe në jetën normale të përditshme të njeriut të zakonshëm.
Kjo janë paradokset ejetës moderne. Nga njëra anë për shkaqe historike, kulturore dhe psikologjike, në shoqërinë tonë, vlera e opinionit publik është shumë e rëndësishme, sidomos në kushtet kur vetë shoqëria është bërë përditë e më tepër mediatike, ose siç e quajnë sociologët modernë, “shoqëri e spektaklit”, e “sehirit social”, e vëzhgimit deri në detaje të jetës së tjetrit.
Nga ana tjetër, jeta moderne me mundësi të gjëra të afirmimit individual të njeriut, të kalimit të rrufeshëm të statusit të njeriut të zakonshëm në njeri të rëndësishëm publik, bën që të rritet numri i njerëzve që janë objekt i investigimit të jetës së tyre. Sepse, siç thotë filozofi i shquar, Jurgen Habermas “Ekspozimi dhe fama janë qëllimi i shfaqjes në publik” të çdo njeriu.