Pragfushata, premtimet për BE-në dhe situata në BE
Mua më habitin pak politikanët tanë kur deklarojnë që, “në 2009-n do të aplikojnë për BE”, apo BE-ja do të na hapë portat në atë apo atë vit. Puna është se BE-ja nuk i ka mirë punët as mes vetes, dhe nuk ma ha mendja se do të kujtohet për Shqipërinë në mes të një krize politike dhe financiare të rëndë.
Këta tanët, mbase thjesht përtypin fjalë, meqë po u afrojnë zgjedhjet dhe era e pushtetit që ikën apo vjen, i deh. Por ne qytetarët që mund të informohemi, nuk e hamë dot sapunin për djathë, sa herë këtyre u teket të bëjnë sapun.
BE-ja është në krizë. Mos përmendim traktatin e dështuar të Lisbonës e probleme të tjera pa fund. Por, ditët e fundit, ka një çarje të thellë mes dy prej vendeve më të fuqishme të unionit, Gjermanisë dhe Anglisë.
Gjermanët kanë vazhduar presionin mbi Kryeministrin britanik, Gordon Brown, rreth vendimeve të tij për t’u huazuar të holla bankave kryesore britanike, për t'i ndihmuar ato në këtë krizë financiare.
E gjitha filloi me sulmin e ministrit gjerman të Financave, Peer Steinbruck, i cili akuzoi zotin Brown se ka ndryshuar nga një ministër i kujdesshëm i Financave, në kohën e Toni Blerit, në një Kryeministër që "i hedh miliardat pa menduar shumë". “Zoti Brown ka reaguar ndaj kësaj, duke thënë se, në qoftë se nuk ndërmarrim veprime tani për të stimuluar ekonominë, do të ishte një dështim i madh i qeverisë së tij”, - thotë “Independent”.
Zoti Brown tha se është e rëndësishme se shumica e vendeve anembanë botës janë duke bërë pikërisht atë që po bënë Britania, ndërkohë që stërlina sot ka rënë në nivel rekord të ulët përballë euros, që nga njoftimi i monedhës së përbashkët në vitin 1999.
E përditshmja “Times”, në të njëjtën kohë thotë se grindja mes Britanisë dhe Gjermanisë rreth qëndrimeve rivale, sa i përket ballafaqimit me krizën aktuale ekonomike, ka lënë nën hije dje fillimin e samitit të BE-së, duke shkaktuar ndarje në atë se cila është mënyra më e mirë për ta nxjerrë Evropën nga kjo krizë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndodhet në mes të kësaj grindjeje. Ajo në Gjermani e ka pranuar planin e ministrit të vet të financave për një pakete modeste të shpëtimit, por në të njëjtën kohë u ka thënë homologëve të vet në BE se mbështet planin ambicioz të Komisionit Evropian për propozimin e paketës për 200 miliardë euro.