E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, Kosova sot voton



Sot, për herë të parë, Kosova ka mundësinë të organizojë vetë zgjedhjet lokale. Të gjithë qytetarët janë ftuar të marrin pjesë në këtë proces, i cili konsiderohet tepër i rëndësishëm si nga autoritetet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare. Përfaqësues të lartë ritheksuan rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe bënë thirrje për shmangien e çdo veprimi të dhunshëm që mund të dëmtonte procesin. Mijëra vëzhgues vendas e të huaj do të përcjellin procesin e votimeve, të cilat organizohen për herë të parë nga vetë institucionet e Kosovës. Të drejtë vote kanë 1.5 milionë votues, të cilët do zgjedhin kryetarët e bashkive për 36 bashki dhe këshilla lokale. Në garë janë regjistruar 74 subjekte të ndryshme politike. Por sondazhet thonë së pjesëmarrja pritet të jetë shumë e ulët si nga shqiptarët ashtu dhe nga grupimet e tjera etnike për shkak të pakënaqësisë së përgjithshme me partitë politike, mungesën e tyre të eficencës dhe korrupsionit që ka përfshirë institucionet qeverisëse. Mbi 5 000 policë do të jenë në krye të detyrës gjatë ditës së sotme në Kosovë. Zëdhënësi i policisë Baki Kelani në prag të votimeve tha se trupat e KFOR-it kanë çmontuar një granatë dore në afërsi të zyrave në Mitrovicë të një prej partive politike në opozitë. Serbët kanë njoftuar se do të bojkotojnë këto zgjedhje lokale në shtetin më të ri në botë. Lideri serb, Oliver Ivanoviç tha se “serbët nuk e njohin shtetin e ri të Kosovës dhe se kjo është arsyeja që nuk mund t’i binden autoriteteve kosovare”. Ivanoviç tha se serbët presin vendimin e Hagës në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe se axhenda e Serbisë synon rrugën e përbashkët europiane. Ndërkohë EULEX-i ka bërë të ditur se do të hetojë lidhur me informacionet se pjesëtarë të EULEX-it janë përpjekur të hyjnë në qendrën kryesore të numërimit të votave në prag të zgjedhjeve të së dielës. EULEX-i nuk është i përfshirë në organizimin e zgjedhjeve lokale të së djelës, por kompjuterat në qendrën kryesore të numërimit të votave përmbajnë informacione të ndjeshme. Kristof Lamfalusi, zëdhënësi i misionit, tha se hetimi i brendshëm do të përcaktojë nëse pjesëtarë të EULEX-it janë përpjekur të thyejnë ligjin. Hetimet filluan pas botimit të një artikulli në “Prishtina Insight” ku thuhej se policë të EULEX-it kanë shkuar në qendrën kryesore të numërimit të votave, por nuk janë lejuar të hyjnë nga rojat e sigurisë. Policia e Kosovës nuk mund t’i verifikojë informacionet.

Kosova së shpejti formon Ministrinë e Integrimit

Në kuadër të angazhimeve dhe përgjegjësive që ka Kosova në procesin e integrimit europian, përfaqësuesit e ekzekutivit kosovar thonë se së shpejti pritet të publikohet vendimi për krijimin e Ministrisë për Integrime Europiane. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se në vitin 2010 ministria e re pritet të nisë punën. “Kryeministri, në shenjë të angazhimeve për fushën e integrimeve europiane, ka vendosur që të themelohet një ministri për integrime europiane. Mendojmë se atë vendim do ta marrë sa më shpejt që është e mundur, në kohën e duhur dhe duke dashur që të koncentrohen punët për integrime europiane në një vend, por natyrisht edhe të koordinohen nga një vend”,- ka thënë ai. Për liberalizimin e vizave dhe për integrim në Bashkimin Europian, Kuçi theksoi nevojën e një përkushtimi më të madh të institucioneve të vendit. Ai shprehu bindjen se me krijimin e Ministrisë për Integrime, do të lehtësohet edhe rruga drejt BE-së.

16 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›