E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shorti-Liga e Kampioneve, Barça-Inter, Milan-Real e Juve-Bajern, Evropa arrin maksimumin

Ironia e fatit do të rikthejë në ish-stadiumet e tyre emra si Zllatan Ibrahimoviç, Samuel Eto, Rikardo Kaka apo edhe Jan Klas Huntelar, parashikohet një sezon vërtet emocionues


Sokol Xhihani
 
Dje në Montekarlo ka marrë formë edhe sezoni 2009-10 i Ligës së Kampioneve. Një sezon që pritet të dhurojë vërtet emocione pasi shorti ka qenë me të vërtetë kokëfortë por edhe spektakolar. Mjafton të përmendësh sfida si Milan-Real Madrid, Barcelona-Inter dhe Juventus-Bajern Mynih dhe gjithçka flet vetë.
Kampionët në fuqi të Evropës, katalanasit e Barcelonës do të jenë përballë Interit të Zhose Murinjos. Zikaltërit do të gjenden kështu në një kohë shumë të shkurtër përballë Zllatan Ibrahimoviçit, të cilit do ti duhet të kthehet sërish në Milano por këtë herë si kundërshtar. Jo më pak do të jetë edhe rikthimi i Samuel Etosë në “Camp Nou”, i cili edhe pse ka arritur të shkruajë historinë me katalanasit nuk e kapërdin dot ende faktin se e larguan duke afruar në skuadër Ibrën. Një hakmarrje? Pse jo, por vetë lojtari duke parë atë çka dhënë për ish-skuadrën e tij nuk do ta ketë të lehtë të përballet kaq shpejt. Si Barcelona ashtu edhe Inter bëjnë pjesë në grupin F, cili plotësohet nga Dinamo e Kievit dhe Rubin Kazani.
Një tjetër sfidë yjesh do të jetë ajo me Milanit dhe Realit të Madridit. Shtatë herë kampionët e Evropës do të jenë përballë Realit galaktik të Florëntinoi Perezit. Por ajo që duhet theksuar është rikthimi i Rikardo Kakasë në Milano. Në ndryshim nga rasti i Ibrahimoviçit, me shumë mundësi brazilianit të Milanit do ti rezervohet një pritje krejt tjetër, pasi ajo çka ai ka dhënë për kuqezinjtë nuk mund të krahasohet me asgjë. Gjithsesi ironia e fatit nuk ka munguar as këtu, dhe pas një vere e cila u kthye në një telenovelë për çështjen “Kaka”, braziliani do të gjëjë sërish ekipin e tij por këtë herë si kundërshtar. Disi e vështirë për tu besuar por mëse e vërtetë për tu parë.
Por kjo sfidë pritet të jetë disi e veçantë edhe për blerjen e vetme të Milanit në këtë sezon Jan Klas Huntelar. Holandezi u largua nga Madridi me pretekstin se nuk bënte pjesë në planet e skuadrës dhe në dy sfidat e grupit C me madrilenët do të kërkojë hakmarrjen e tij për ti treguar atyre që e larguan se kanë gabuar. Grupi C plotësohet me ish-skuadrën e Lorik Canës, Olimpikun e Marsejës dhe zviceranët e Zyrihut.
Në grupin A gjermanët e Bajernit do të përballen me italianët e Juventusit. Një përballje vërtet interesante duke parë se skuadrat vijnë në këtë sezon me trajnerë të rinj dhe me blerje të goditura. Sigurisht që bavarezët nuk e kanë nisur mirë sezonin në Bundesligë ku kanë pësuar 1 humbje dhe 2 barazime, por gjithsesi është vetëm fillimi. Blerja më e fundit Arjen Roben pritet ti japë më shumë shpejtësi sulmit gjerman. Nga ana tjetër Juventusi i Diegos, i cili do të rikthehet të luajë një sfidë në kampionatin gjerman, kërkon një paraqitje të mirë, por edhe pse jo finalen. Por në grupin A duhen pasur kujdes edhe francezët e Bordosë të cilët edhe pse nuk shihen si pretendentë në grup, mund ti hapin shumë probleme Bajernit dhe Juventusit dhe pse jo të shkatojnë edhe ndonjë surprizë. Skuadra e katërt e këtij grupi janë izraelitët e Makabi Haifas. Ndërkohë që finalistët e edicionit të kaluar, Mançestër Junajtid do të kenë një grup të lehtë ku do të përballen me CSKA e Moskës, Fenerbaçen dhe Volfsburgun.
Ndeshjet e fazës së grupeve do të luhen më 15-16 shtator, 29-30 shtator, 20-21 tetor, 3-4 nëntor, 24-25 nëntor dhe 8-9 dhjetor. Dy skuadrat e para të çdo grupi do të kalojnë në fazën me eliminim direkt që do të fillojë në pranverë. Skuadrat e treta të çdo grupi do të kenë mundësinë të luajnë në 1/16 e Europa League. Ndërkohë që finalja e Ligës së Kampioneve të këtij sezoni do të luhet në “Santiago Bernabeu” më 22 maj të vitit të ardhshëm.
 
 
 
GRUPI A
Bajern Mynih
Juventus
Bordo
Makabi Haifa
 
GRUPI B
Man.Junajtid
CSKA Moskë
Beshiktash
Volfsburg
 
GRUPI C
Milan
Real Madrid
Marsejë
Zyrih
 
GRUPI D
çelsi
Porto
Atletiko Madrid
Apoel Nikosia
 
GRUPI E
Liverpul
Lion
Fiorentina
Debreceni
 
GRUPI F
Barcelona
Inter
Dinamo Kiev
Rubin Kazan
 
GRUPI G
Sevija
Rejnxhërs
Shtutgart
Urziceni
 
GRUPI H
Arsenal
AZ Alkmaar
Olimpiakos
Standard Liezh
 
 
Sezoni i kaluar
 
Lionel Mesi, “mbret” i Championsit
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi ka fituar dy çmime të UEFA-s për sezonin e kaluar të Ligës së Kampioneve. Sulmuesi argjentinas ka fituar çmimin e sulmuesit më të mirë, dhe atë të lojtarit më të mirë në Ligën e Kampionëve, gjatë ceremonisë së djeshme, ku u hodh edhe shorti për fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Evropë. çmimi për portierin më të mirë i takoi atij të Mançester Junajtid, Edvin van der Sar, ai për mbrojtësin më të mirë, Xhon Territ. Mesfushori më i mirë u zgjodh, çavi Hernandez i Barcelonës, ndërsa sulmuesi më i mirë Lionel Messi, morri edhe çmimin e Lojtarit më të Mirë.
 
Kandidaturat për çmimet
 
Portieri i vitit:
Peter Ceh (çelsi)
Viktor Valdes (Barcelona)
Edvin van der Sar (Man.Junajtid)
 
Mbrojtësi i vitit:
Zherrard Pike (Barcelona)
Xhon Terri (çelsi)
Nemanja Vidiç (Man.Junajtid)
 
Mesfushori i vitit:
Stivën Xherrard (Liverpul)
çavi Hernandez (Barcelona)
Andres Iniesta (Barcelona)
 
Sulmuesi i vitit:
Samuel Eto (Barcelona,)
Lionel Mesi (Barcelona)
Kristiano Ronaldo (Man.Junajtid)
 
Kalon te Bajerni
 
Arjen Roben: Reali më largoi
Bajerni i Mynihut ka arritur të blejë për 25 milionë euro mesfushorin e Realit të Madridit, Arjen Roben. Vetë lojtari ka treguar edhe aryset e largimit, ku ashtu si edhe në rastin e Uesli Shnajderit, një rol kryesor në këtë tratativë kanë vendosur drejtuesit e Realit që i kanë bërë të ditur lojtarit se nuk bën pjesë në planet e tyre. “Nuk doja të largohesha, por nuk kisha zgjidhje pasi skuadra e dëshironte këtë. Ka pasur shumë gënjeshtra, por në fund mua mu desh të vendos se çfarë është më mirë për mua, sepse unë dua të luaj dhe t’u tregoj të gjithëve se çfarë futbollisti jam”, tha Roben.
 
Maradona: Kam qenë më i mirë se Pele
Legjenda e argjentinase e futbollit Diego Armando Maradona në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s ka deklaruar se ai ka qenë një lojtar më i mirë se legjenda braziliane Pele. Në një sondazh interneti të realizuar nga FIFA para nëntë vitesh, Maradona është votuar si lojtari më i mirë që ka shkelur fushat e blerta në historinë e futbollit, ndërsa Pele është renditur i dyti.  “Ajo që ka rëndësi është se kur njerëzit votuan, ai ishte i dyti pas meje. E dini çfarë? Unë kam luajtur në futbollin evropian dhjetë vjet, ndërsa Pele ka luajtur në Amerikën Jugore. Po, ai ka fituar Kampionate Botërore dhe gjithçka, mirëpo të luash në Evropë është diçka krejtësisht tjetër”, ka thënë Maradona.
 
Kaka: Milani fiton 2-0 ndaj Interit
Superylli i Realit të Madridit, Rikardo Kaka, ka parashikuar fitore prej 2-0 në favor të Milanit në derbin e të shtunës. Milani dhe Interi do të takohen takohen të shtunën në “San Siro” për tëluajtur zhvilluar derbin milanez, ndërkohë që ish-lojtari kuqezi thotë se Milani do të dalë fitues në këtë përballje.
“Milani do të fitojë 2-0. Pato do të shënojë nga një asist i Ronaldinjos apo Tiago Silvës, ndërsa golin e dytë do ta shënojë Alesandro Nesta. Gjithmonë do t’i mbështes ish-shokët e mi të Milanit , pavarësisht se ku luaj”, është shprehur Kaka për “La Gazzetta Dello Sport”, duke shtuar se asnjëherë nuk do të festojë nëse shënon gol ndaj Milanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›