Shorti shqiptaret njohin rivalet ne Europe
Skuadrat shqiptare kanë njohur rivalët e ndeshjeve në Kupat e Europës, me të cilat do të startojë zyrtarisht edhe sezoni i ri futbollistik. Goglat në Nion të Zvicrës nuk janë treguar shumë bujare me Skënderbeun, me kampionët e Shqipërisë që do të luajnë në Champions League, ndërsa në anën tjetër buzëqeshin tre ekipet, të cilat militojnë në Europa League, Tirana, Teuta dhe Flamurtari.
E para nga skuadrat e Superligës që ka mësuar rivalin ishte Skënderbeu. Përballë korçarëve, në turin e dytë kualifikues të Champions League do të jenë kampionët e Hungarisë, Debreceni. Kjo ka bërë, që ashtu si një vit më parë, ku “peshkuan” APOEL-in, edhe tashmë shorti të jetë shumë i vështirë.
Pavarësisht cilësisë së madhe të kontingjentit dhe dëshirës për të kaluar të paktën një raund, misioni i korçarëve nuk do të jetë i lehtë. Në fakt, Debreceni është një prej skuadrave më të vjetra hungareze, ndërsa në dekadën e fundit kanë dominuar kampionatin në këtë vend, duke e fituar 6 herë titullin.
Suksesi më i madh ka qenë pjesëmarrja në fazën e grupeve në Champions në sezonin 2009-2010, ku me fiorentinën, Liverpulin dhe Lionin nuk morrën asnjë pikë. Një sezon më pas, ata arritën në turin e tretë të Champions dhe luajtën në grupet e Europa League, pa arritur të kualifikoheshin. Sfida e parë ndërmjet Skënderbeut dhe Debrecenit do të luhet më 17 korrik në Korçë, ndërsa ndeshja e kthimit në datën 25 korrik.
Shorti ka qenë më i pranueshëm për skuadrat që militojnë në Europa League. Padyshim që më me fat është Tirana, e cila në raundin e parë të këtij aktiviteti do të ketë përballë Grevenmaher nga Luksemburgu.
Për Flamurtarin, të përforcuar së fundmi me Migen Memellin, testi është i një niveli vështirësie më të lartë, por gjithsesi i kalueshëm. Vlonjatët do të luajmë përballë Budapest Honved nga Hungaria. Në fund, nga ekipet e Superligës, Teuta do të ndeshet me gjeorgjianët e Metalurg Rustavi. Tre shqiptaret e Europa League do ti luajnë ndeshjet e para në shtëpi, më 5 korrik, ndërsa sfidat e kthimit luhen më datë 12.
Ndërkohë, në raundin e dytë, shorti bëhet edhe më i vështirë. Mbi të gjitha për Flamurtarin. Kjo për faktin se nëse kualifikohen, kuqezinjtë do të kenë përballë as më shumë e as më pak, por rusët e Anzh Makhaçkala, skuadër e drejtuar nga i mirënjohuri Gus Hidink e ku luajnë dy yjë shumë të mëdhenj si Samuel Eto’o dhe Zhirkov. Por, kjo duhet të jetë një arsye më shumë për vlonjatët që të kualifikohen.
Shorti i raundit të dytë është shumë i vështirë edhe për Teutën, që nëse kualifikohet do të luajë përballë çekëve të Viktoria Plzen, ndërsa rrugëtimi i Tiranës duket më i lehtë, pasi bardheblutë do të kenë si kundërshtarë norvegjezët e Alesund.