Superliga ndryshon serish look

Superliga shqiptare do të ndryshojë fytyrë, dhe kjo do të ndodhë në dy vitet në vazhdim. Më saktësisht duke nisur që prej vitit 2013. Në fakt, Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vendosur të pranojë kërkesën e pjesës më të madhe të klubeve elitare, për të ulur numrin e skuadrave që marrin pjesë në kampionatin elitar në vend.
Sezoni i ri, pra edicioni 2012-2013, e që starton më 25 gusht do të vazhdojë të luhet me 14 skuadra, të ndara në dy faza, ndërsa përgatitjet për ndryshimin e strukturës do të nisin nga numri i ekipeve që bien dhe ngjiten në kategori.
Në këtë mënyrë, katër skuadrat e fundit, pra të vendeve 11, 12, 13 dhe 14 të Superligës zbresin automatikisht në Kategorinë e Parë, ndërsa në Superligë ngjiten vetëm ekipet e dy vendeve të para të kësaj kategorie, ndërsa nuk do të ketë ndeshje “play-off”. Faza e dytë e kampionatit nis më 9 shkurt 2013 dhe përfundon më 11 maj 2013.
Kjo bën që sezoni 2013-2014 i Superligës të zhvillohet me 12 skuadra dhe kampionati të shtrihet në tre faza, për një total prej 33 ndeshjesh. Kjo është edhe skema e përdorur përpara se numri i ekipeve pjesëmarrës të rritej në 14.
Prej edicionit 2014-2015 vjen edhe ndryshimi i madh, ku Superliga do të zhvillohet me 10 ekipe, të cilat do të ndeshen në 4 faza. Ky ishte pikërisht edhe ndryshimi më i rëndësishëm i kërkuar nga klubet, që kërkonin rikthimin e garës së përdorur për tre sezone, nga viti 2003 deri më 2006.
Ndryshim ka pësuar edhe skema e Kupës së Shqipërisë, që për vitin e ardhshëm në turin e 1/16-ave nuk do të organizohet me grupe, por me ndeshje me eliminim direkt. Tetë skuadrat e kualifikuara do të ndahen në dy grupe. Ndërkohë, përsa i takon futbollistëve të huaj, në Superligë dhe në Kategorinë e parë do të lejohen vetëm 5 të tillë.