E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shorti vë përballë Arsenal-Udineze

Hidhet në Zvicër shorti i turit eliminator të Ligës së Kampioneve ku bie në sy përballja e Bajernit të Mynihut me FC Zyrih dhe Arsenal-Udineze. Udineze rrezikonte një short të hekurt në “play-off”-et e Champions-it dhe kështu ka ndodhur. Italianët do të përballen me anglezët e Arsenalit në Londër në 16 gusht dhe një javë më pas në “Friuli”. Skuadra e Arsen Vengerit nuk ishte ndoshta kundërshtari më i fortë me të cilin goglat mund të të vinin përballë, (ishte Bajerni i Mynihut). Por ndarja e kësaj faze të katërt eliminatoresh në Nion kishte parashikuar të paktën një përballje të frikshme. Djemtë e Guidolinit nuk ishin kokë grupi. Shansi i vetëm i bardhezinjve është se ndeshjen e kthimit do ta luajnë në shtëpi. Vetëm kaq, sepse pritet të jetë një “mision i pamundur” kalimi për në fazën e grupeve. Por Arsenali nuk është se vjen në momentin më të mirë. Ndeshja e dytë, i gjen “topçinjtë” në një sanduiç mes dy ndeshjeve më të forta të Premier Ligës, asaj kundër Liverpulit dhe Mançester Junajtid. E si për t’ia shtuar më shumë telashet Vengerit, ai nuk do të ketë në dispozicion për 90 minutat e “Emirates Stadium” Samir Nasrinë dhe Robin Van Persin, që të dy të pezulluar. Në fakt, tekniku francez do të mungojë edhe vetë për shkak të dënimit me një ndeshje pezullim që mori pas eliminimit nga Barcelona në sezonin e shkuar (protestoi ashpër te arbitri për kartonin e kuq të Van Persit). Edhe Nasri vuan sanksionet e UEFA-s për protestat ndaj gjyqtarit Bushaka.

Ka qenë një short i lehtë për Bajernin e Mynihut, i cili shpresonte të mos përballej me Rubin Kazanin dhe Udinezen. Do të ketë një derbi Gjermani-Zvicër, pasi rekordmenët gjermanë kanë “peshkuar” kampionët e Zyrihut. Djemtë e Hejnkes do të kenë mundësi t’i mbyllin hesapet që në ndeshjen e parë më 17 gusht, e cila luhet në “Allianc-Arena”. Zyrihu ka eliminuar në fazën e tretë belgët e Standard Liezhit, por ky ekip vjen në momentin më të keq të mundshëm. Në 3 javët e para të kampionatit ata kanë koleksionuar 3 humbje.

Nuk është se kanë pasur më pak fat spanjollët e Vilarealit. “Nëndetëset e Verdha” do të luajnë me Odensen. Një tjetër sfidë interesante do të jetë ajo mes nënkampionëve të Holandës, Tuentes dhe Benfikës. Një nga sfidat më të balancuara do të jetë ajo mes Lionit dhe Rubin Kazanit. Këta të fundit kanë qenë një nga skuadrat surprizë në edicionet e fundit të Ligës së Kampioneve, por francezët do tentojnë të shfrytëzojnë faktorin eksperiencë. Malmo, e cila eliminoi Rejnxhërsat që në fillim, këtë javë do udhëtojnë në Kroaci, ku do përballet me Dinamon e Zagrebit. Ndërsa Genku do luajë kundër izraelitëve të Makabi Haifës. FC Kopenhagenin do luajë me çekët e Viktoria Pzlen. Ndeshjet e para do të zhvillohen në 16/17 gusht, ndërsa të kthimit më 23/24 gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›