A nuk ka dëgjuar Berisha se çfarë po ndodh në Itali për bazat?
Keni bërë shumë mirë që keni veçuar në letrat e sotme (djeshme) një pjesë nga një koment i F.Lubonjës për intervistën e turpshme të kryeministrit Berisha në shtypin italian. Edhe pjesa ku komentohet për përgjigjet e Berishës lidhur me anëtarësimin në NATO, vlen të veçohet.
“...Gazetari e pyet Kryeministrin tonë lidhur me anëtarësimin në NATO. Jam në gjendje të dalloj e pranoj diferencat në qëndrimet ndaj NATO-s.
Personalisht, bëj pjesë ndër ata që nuk konsiderojnë gjë për t’u festuar futjen në një organizatë lufte, ndonëse nuk i kundërshtoj ata që thonë se kjo ka edhe aspekte pozitive. Por nuk mund të pranoj kurrsesi një përgjigje si ajo e Kryeministrit tim kur gazetari e pyet se ç’mendim ka për ngritjen e bazave të NATO-s në Shqipëri: “Jemi gati të bëjmë çdo gjë që të na kërkojë NATO”. Kjo më duket e papërgjegjshme. Berisha s’mund të sillet me Shqipërinë sikur të jetë pronari edhe i tokës shqiptare. Ashtu sikurse për Termocentralin Bërthamor, atë me qymyr etj, vendime kaq të rëndësishme kërkojnë të paktën formalisht konsultim me komunitetet në shkallë kombëtare apo lokale.
Sepse të ngresh baza luftarake këtu, në një vend kaq të vogël, do të thotë jo vetëm të jesh nën shënjestër kot së koti, por edhe t’u mohosh shqiptarëve një copë territor, edhe të shkatërrosh bregdetin apo ndonjë zonë tjetër të vendit. A nuk ka dëgjuar Berisha se çfarë po ndodh në Itali kundër zgjerimit të bazës së Vicencas? Si mund të marrë përsipër ai të heqë brekët e vendit të vet në këtë mënyrë fare të pakondicionuar!?...”.