Shpallen fituesit e Festivalit Teatror të të Rinjve
Gjashtë vepra të regjisorëve të rinj do të ngjiten së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar. Dje u shpallën emrat e regjisorëve të rinj dhe veprave përkatëse, të cilët kanë fituar konkursin për Festivalin Teatror të të Rinjve për vitin 2009. Nga nëntë vepra në konkurrim, juria e përbërë nga Kristaq Skrami, drejtori i TK-së, Rajmonda Bulku, aktore e TK-së, Gazmend Mullai dhe Herida Duro, përfaqësues nga MTKRS-ja, si edhe Erion Hinaj, fituesi i edicionit të shkuar të Festivalit Teatror të të Rinjve vendosi përzgjedhjen e projekteve më të mira. Pas përgatitjeve paraprake në skenën e Teatrit Kombëtar, do të kemi mundësi të njihemi me regjisorët e rinj të përzgjedhur. Zana Hoxha Krasniqi do të paraqitet me veprën "Norway today" me autor Igor Bauersima, Elis Mataj me "Fundi i lojës" të autorit Samuel Becket. Ndërkaq, Saimir Sina vjen me veprën "Parfumeria" të Haqif Mulliqit, "Morsa" është vepra e përzgjedhur nga Najada Elmazi, e autorit italian Luigi Pirandello. Regjisorja Alma Hoti vjen me veprën "Shtëpia e Bernada" e autorit Federiko Garsia Lorka, ndërsa Sonila Kapidani Ulqinaku do të paraqitet para publikut me veprën "Banorët e shkallës Nr. 5", një vepër e autorit Kin Dushi. Festivali Teatror i Rinjve është një projekt që u krijon mundësi regjisorëve të rinj që të shfaqin vlerat e tyre në skenën teatrore. Ky projekt edhe këtë vit do të menaxhohet nga Teatri Kombëtar dhe është i ndarë në disa faza, ku përfshihet fillimisht zhvillimi dhe dorëzimi i projekteve, vlerësimi e në fund zbatimi dhe shfaqja e tyre. Ai është konceptuar si konkurs që u jep mundësinë artistëve të rinj të regjisë, skenografisë, kostumografisë dhe aktrimit të debutojnë krijimet e tyre në skenën e TK-së, me qëllim zbulimin dhe evidentimin e talenteve të rinj, të paafirmuar më parë, të cilët do të rigjenerojnë trupën dhe do të sjellin risi me këtë zhanër. Impakti i këtij projekti është ndikimi i drejtpërdrejtë në integrimin e artistëve të rinj në institucionet publike të artit, mundësimin e konkurrencës mes të rinjve më të spikatur dhe rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike kombëtare të kulturës për krijimin e hapësirave në shërbim të artistëve të rinj. Festivali Teatror i të Rinjve organizohet çdo vit si një bashkëpunim i Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.