E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albpetrol” u jepet amerikanëve?

Sot u hapën zarfet e dorëzimit të ofertave pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Fillimisht, 19 kompani shprehën interes duke tërhequr formularin, por vetëm 6 prej tyre bënë oferta. Kompania që jep ofertën më të lartë është, Voltro Silkiroad Equite Ltd, e cila është e gatshme të japë 850 milionë euro për të blerë të gjitha aksionet e kompanisë “Albpetrol”, duke sjellë edhe garancitë e duhura për shumën.

Kompania tjetër që jep ofertën më të lartë është sërish amerikania 'Amber Shajn', e cila është e gatshme t’i paguaj 790 milionë euro qeverisë shqiptare. Në vend të tretë, radhitet kompanie kanadeze ‘Bankers Petroleum’, duke ofruar 303 milionë euro. Kjo kompani është e njohur në Shqipëri për shfrytëzimin e burimit të naftës në Patos Marinzës. Vlen të theksohet se kompania gjigante ruse, ndër më të mëdhatë në botë,  'Gazprom' ofroi vetëm 52 milionë dollarë.

Kompani tjetër, Consorcium Win Bussines, ka ofruar 297 milionë e 600 mijë euro, teksa kompania e quajtur ‘Ecolog International’ nga Dubai nuk kishte paraqitur asnjë ofertë. Komisioni i Vlerësimit të ofertave tashmë ka nisur punën dhe brenda afatit të përcaktuar në ligj do të bëjë të ditur fituesin e tenderit.

Pas miratimit nga Qeveria, do të jetë Kuvendi që do të japë vendimin për kalimin e pronësisë së "Albpetrol' tek privati. "Procesin e dorëzimit dhe marrjes në dorëzim te dokumenteve dhe ofertave e konsideroj të mbyllur. Komisioni do të tërhiqet për të vazhduar me procedurat e mëtejshme, që parashikon ligji dhe praktika e parashikuar ne dokumentet e tenderit", tha zëvendësministri i METE-së, Sokol Dervishaj.

Kompania “Albpetrol sh.a”, është nën zotërim të qeverisë shqiptare, por me shitjen, ajo do t’i kalojë 100% pronarit të ri. Zakonisht, kompanitë e mëdha nuk janë shitur plotësisht, ku deri në 20% të aksioneve janë mbajtur nga qeveria, siç është rasti i Albtelekom, teksa më pas edhe këto aksione janë shitur. Por, në rastin e kompanisë së naftës, që mban në punë 4500 punonjës, shitja do të bëhet 100%.

Krahas shitjes së kompanisë, pronarët e rinj do të kenë edhe një sërë të drejtash të tjera në burime energjetike nëntokës të Shqipërisë, si nafta dhe gazi. Kompania do të ketë të drejtë të shfrytëzojë naftën dhe gazin e Shqipërisë. Paketa e aksioneve të "Albpetrolit" përfshin të gjitha asetet e ndërmarrjes, lejet dhe licencat për shfrytëzim dhe kërkim deri në një periudhë 25-vjeçare, ku përfshihet edhe ajo për transmetimin e gazit dhe shpërndarjes së tij që do të mundësohet nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, si edhe të drejtën e blerjes së emrit për të konkurruar në treg.

Me privatizimin 100% të aksioneve të "Albpetrol", qeveria shqiptare synon të sigurojë investime private në zhvillimin e sektorit, përmirësim të teknologjisë, sistem menaxhimi me standarde mjedisore, liberalizim të tregut të hidrokarbureve. Privatizimi i kompanisë publike të naftës "Albpetrol" u tentua para vitit 2005, por rezultoi pa sukses. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-07 14:55
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›