Shpallet lista me emra rrugësh të lira, për dëshmorët vullnetarë të çadrave
Ditari online i deputetit disident të çadrës së jugut
Nata më e vështirë e jetës time ka qenë ajo e mbrëmshmja, grua, kur kryetari, me qeskat e syve që i vareshin më poshtë se kurrë dhe me dhëmbët që i skërmiteshin më shumë se asnjëherë tjetër, po na shihte fiks tek kakërdhokët, për të vlerësuar se cili nga ne kishte çehren më të lodhur e që do të ishte subjekt i spektaklit të radhës në protestën e nesërme. “Sa më e madhe të jetë sakrifica, aq më i madh edhe nderimi”, fliste solemnisht kryetari, ndërkohë që ngjitur me mua, Ilir Beqja më pyeste: “Në ç’rrugë banon, ka emër rruga juaj”. Unë ngrita supet i çuditur, por ai shtoi shpejt e shpejt: “Helbete, në rrugë pa emër, përjetësimi është edhe më i shpejtë, tani që e kemi tonën edhe bashkinë. E kupton besoj”, dhe më shkeli sytë, me atë vështrimin e pangjyrë, që i kombinohej me erën e trupit, plot ngjyrë të fortë... Kryetari ka njoftuar tenderin për emrat e rinj të rrugëve, për të gjithë ata grevistë që do shfaqen si “casus”-et shëndetësore të vitit. Casus-i duket fjalë e vështirë dhe në interpretim të parë, thamë se quhen të gjithë ata që tërheqin vëmendjen e mjekëve dhe të medias me qëndresën e tyre, por edhe me kushtet e rënda të shëndetit.
Por s’ishte ashtu moj grua. Për kryetarin dhe Ilir Beqjen (ai është njeriu i kontaktit mes meje dhe kryetarit), casus-e janë të gjitha ato gjendjet e koma-s apo edhe më tej...Dhe më tej, e kupton vetë ti se për ç’bëhet fjalë.
Duhet sakrificë për politikën, moj grua, dhe këtë porosi na e përsëriste përditë Ledi Shamku, duke na e ilustruar, sa me shembuj nga kimia, për të cilën thuhet se ka marrë diplomën, sa me shembuj nga filologjia, ku thuhet se ka marrë çertifikatën e jetës. Them na e përsëriste, pasi duhet ta kesh marrë vesh, mjaltëz, se me urdhër nga lart, ajo u sëmur dje papritur, për shkak të një infeksioni ditor në bajame dhe me barrelë e ambulancë, ndërkohë që na jepte porositë për sakrificën, u nis për tek QSUT-ja... Por nga fytyra e Beqjes, teksa e përcillte, e mora me mend se Lejdi jonë e humbi emrin e rrugës. Ajo kish dalë nga çadra para 14 majit dhe s’i takonte nderimi tek rruga. Aq më tepër se kish dalë krejt koshiente. Olta, që kishte njëfarë rivaliteti me të, në çadrën e përbashkët, që shtrihet në veri të çadrës tonë, që për komunikim bashkëshortor e kemi quajtur “çadra e jugut”, më tha dje se s’besonte se Lejdi ishte dorëzuar papritur, por duhet t’i ketë ardhur ndonjë urdhër për përdorje më të thelluar në mitingun e sotëm. “Ka rrezik të dalë edhe në tribunë”, më tha Olta, gjithë pezm, në pritje të një mesazhi solidariteti nga ana ime, por ç’t’i thosha moj grua, kur përditë na rri si çekan mbi kokë ai hetimi i Koços për një grup armiqësor. S’fola fare, por prapë situata s’është se u qetësua. Gjithë ditën është vendosur një bllokadë, dhe ata grevistë që kishin mundur deri dje të siguronin leje të posaçme për takime me të afërmit apo edhe për shprazje në një banjo normale, mundësisht tek ai restoranti i Fidelit, shkarkesat e të cilit janë sipas standardeve, janë bllokuar. Në mënyrë të papritur është vendosur një rrethim që të kujton veç parullën “të punojmë e të jetojmë si në rrethim”.
Tani kjo ekzistenca jonë në çadra pak lidhje ka me jetesën, se jetesë në çadër bën Muamar Ghedafi e jo ne, por ne mbahemi, mjaltëz, se zemrën e kemi të fortë, e ajo s’na lëshon pa na përcaktuar kryetari rrugën e kryeqytetit me emrin tonë.
Me shpresë se ajo ditë s’do vijë kësaj here, të puth mjaltëz e të jap leje të mos dalësh nesër mbrëma në Bulevard.
A presto!