E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet lista përfundimtare me 60 fituesit për gradën Komisar

Zbardhen të gjithë emrat dhe ndryshimet në renditje. Cilët do të përfitojnë të parët

Zbardhet lista përfundimtare e komisarëve fitues që do të ndjekin kurset përkatëse, me qëllim që emërohen në vendet vakante që ka shpallur drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Për rreth një muaj, ata kanë kaluar tre testime dhe në përfundim është shpallur lista me 60 fituesit e parë, sipas pikëve të mbledhura. Edhe pse kanë kaluar fazën e parë, disa prej oficerëve që fituan gradën “Komisar” do të qëndrojnë në listën e pritjes deri në dy vjet. Nëse për ta nuk do të hapen vende të lira, atëherë do të rikonkurrojnë për gradë.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, më datë 25 të muajit qershor kanë përfunduar të gjitha vlerësimet për oficerët e policisë, të cilët konkurruan për gradën “Komisar”. Personi i fundit që është kualifikuar për 60 vendet vakante të para ka arritur të mbledhë në total 71.2 për qind të pikëve të mundshme. Sipas procedurave standarde për gradë, parashikojnë një sërë hallkash që oficerët të arrijnë ta gëzojnë atë. Nga të dhënat mësohet se e gjitha nis te testimi me shkrim. Nga ky testim, fillimisht kualifikohen ata oficerë policie që kanë arritur të mbledhin 60 nga 100 pikë të mundshme. Në listën e parë për gradën “Komisar” ishin 63 persona. Më pas, sipas procedurave u bë rivlerësimi i pyetjeve që nuk ishin përgjigjur më shumë se 90 për qind e të gjitha grupeve që konkurruan në këtë testim. Nga kjo, komisioni nxori 4 pyetje të pavlefshme dhe pikët iu shtuan automatikisht të gjithë atyre që nuk u ishin përgjigjur. Në listën pas rivlerësimit të katër pyetjeve, numri i oficerëve kalues të testit të parë shkoi në 105 veta.

Pas kësaj faze, personat fitues iu nënshtruan “intervistës me gojë” dhe në fazën e tretë “ushtrimeve vlerësuese”. Në përfundim të këtyre tri fazave, Komisioni i Vlerësimit ka nxjerrë gjithë pikët e fituara nga konkurrentët. Oficerët e policisë janë renditur në listën përfundimtare nga ai që ka mbledhur më shumë pikë, i cili qëndron i pari, deri tek ai që ka mbledhur më pak pikë. Në këtë listë përfundimtare bëhet fjalë për 103 oficerët që u shpallën fitues të testimit me shkrim, pasi dy vetë nuk fituan. Fitues u shpallën të gjithë oficerët që arritën të mbledhin 60 për qind të pikëve në të tri fazat.

Megjithatë, de jure, ata rezultojnë të gjithë fitues të gradës “Komisar”. Por, vetëm 60 prej tyre do të emërohen në detyra që përmbajnë këtë gradë, ku dihet se grada e punonjësve të policisë dhe bashkërendimi me funksionin ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e pagës. Siç është cilësuar që në fillim, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë 60 funksione të lira në polici për gradën “Komisar”. Kështu, 60 të parët, të cilët janë pasqyruar edhe në listë do të zënë këto funksione, duke i shtuar pagën vetes. Ndërsa pjesa tjetër do të qëndrojë në listën e pritjes. Kur të hapen funksione të lira të tjera, atëherë, sërish do të shikohet lista si janë renditur dhe do të merren aq sa ekzistojnë vendet e lira.

Në lidhje me emërimet e tyre në këto funksione ka një tjetër procedurë. Efektivëve e policisë, që nga i pari deri tek i fundit, u propozohet një vend i lirë dhe nëse ata e refuzojnë si funksion, atëherë i refuzohet të dytit në listë. Oficeri i policisë mund të refuzojë deri në tre funksione, por jo më shumë, pasi mbetet në listë-pritjeje dhe gjatë kësaj periudhe, ai nuk mund të përfitojë nga grada më e lartë që ka, pasi vazhdon të paguhet për një gradë më pak dhe funksionin që ka aktualisht. Kjo realizohet për të gjithë oficerët e policisë, derisa të plotësohen funksionet e lira. Megjithatë, problemi qëndron nëse lirohen funksione të tjera, pasi lista e fituesve është shumë e gjatë dhe ata mund të kenë “imunitet” vetëm deri në dy vjet, pasi nëse nuk marrin ndonjë funksion duhet të konkurrojnë sërish për këtë gradë. Një problem që ekziston aktualisht ka të bëjë me emërimet, gjatë ndryshimeve të fundit në polici. Shumë funksione janë zënë nga oficerë të ndryshëm, ku një pjesë, sapo kanë fituar gradën, pavarësisht se nuk kanë kryer trajnimet përkatëse dhe nuk dihet nëse do të ndiqet ekzaktësisht procedura standarde e emërimeve në polici.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›