Shpallet tenderi për studimin e qendrës së Fierit
Fier- Qendra e qytetit të Fierit nuk do të mbetet peng i amullisë së ndërtime me dhe pa kriter. Për të do të ketë një studim të mirëfilltë. Sipas drejtorit të Inspektoriatit të Ndërtimit pranë Bashkisë, Sabedin Aliaj, është shpallur tenderi pë studimin e qendrës së Fierit, me një vlerë prej 100 milion lekësh. Inspektoriati i Ndërtimit ka kryer një sërë aksionesh për prishjen e ndërtimeve pa leje çka do ti hapë rrugë ndërtimit të qendrës së re por edhe rikonstruksionit të një sërë rrugësh që kishin mbetur peng i këtyre ndërtesa pa leje. “Prishja e këtyre objekteve ka bërë të mundur hapjen e fronteve të punës të firmave të ndertimit, të cilat ishin shpallur fituese të tenderave për rikonstruksionin e rrugëve të qytetit”, tha Aliaj.
Sipas tij, Inspektoriati i Ndërtimit ka pasur në qëndër të vëmendjes prishjen e objekteve të paligjshme që kanë penguar realizimin e investimeve të Bashkisë Fier në disa rrugë të qytetit. Këtu përmendim: Unazën pranë kompleksit “Apolon”, rrugën “Vangjel Rusku”, rrugën “Andon Xoxa”, etj.
Ndërsa përsa i përket qendrës së qytetit, kreu i Inspektoriait bëri të ditur se “Plani Regullues i Fierit ka parametra bashkëkohorë dhe do shtrihet në një hapësirë prej 14 hektarësh. Puna për zbatimin e tij do të nisë sapo të jetë gati studim”. Në Fier nuk do të ketë ndertesa më të larta se 10 brenda qytetit. Ato do të jenë kryesisht godina me 3 deri në 8 kate. Detaje këto të shkëputura nga vendimi i KRRTRSH për planin rregullues të qytetit të Fierit.