Topi fton Sejdiun në Tiranë, vjen nesër
Tiranë- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu do të jetë nesër për vizitë zyrtare të Tiranë, me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi. Siç mësohet nga faqja zyrtare e Presidencës, “të hënën ai do të takohet me Presidentin, Topi, Kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren, Topalli. Ndërsa të martën do të jetë i ftuar në Bashkinë e Shkodrës, kur pritet të shpallet "Qytetar Nderi".
Vizita e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu në Shqipëri është e para që prej shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe njohjes së saj nga Tirana zyrare.
Kosova dhe Shqipëria kanë thelluar edhe më shumë bashkëpunim dypalësh pas shpalljes së pavarësisë. Të dyja vendet kanë ngritur edhe marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh, ndërsa kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha, si në polici, drejtësi, ekonomi e energjetikë.
Nga ana tjetër, diplomacia shqiptare vazhdon të luajë rol të rëndësishëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete. Numri i shteteve që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, me njohjen e djeshme nga Malajzia, ka shkuar në 52.