Bakalli, Ngjela e Shehi,koalicion kundër PD-së
ADI SHKEMBI
Partitë e spektrit të djathtë duket se nuk do të jenë të bashkuara në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Kështu veç koalicionit të djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike dhe në përbërje të të cilit pritet të jenë Partia Republikane, Partia Demokrate e re e cila po shkon drejt shkrirjes, apo edhe Partia Aleanca Demokratike, një tjetër koalicion është duke u formuar. Dy ish-deputetët e Partisë Demokratike, Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, të cilët kanë dalë të pavarur, po iniciojnë së fundi një lëvizje për bashkimin në një koalicion "të vërtetë të djathtë" siç e quajnë ata. Pjesë e kësaj iniciative do të jetë edhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. I kontaktuar dje nga gazeta "Panorama", deputeti i pavarur Bakalli theksoi se, ka një iniciativë të tillë, por ende jo një projekt përfundimtar. "Është e vërtetë që ka një iniciativë për krijimin e një koalicioni vërtet të djathtë që të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Këto ditë kemi pasur takime informale me deputetin e pavarur Spartak Ngjela dhe kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, por ende nuk ka një gjë përfundimtare", theksoi Bakalli. Sipas deputetit të Shkodrës, i cili shpalli divorcin me Partinë Demokratike rreth një vit e gjysmë më parë, në ndërtimin e një koalicioni të ri synohet tërheqja e figurave dhe personaliteteve të djathtë, të cilët kanë dhënë më parë kontribut në Partinë Demokratike. Bakalli bëri të ditur gjithashtu se, nga iniciatorët e kësaj lëvizjeje është kërkuar që pjesë e koalicionit të jenë edhe Aleksandër Meksi, ish-kryeministër në vitet 1992-1996 me Partinë Demokratike, apo edhe Bashkim Kopliku, ish-zv/kryeministër gjatë qeverisjes së parë të demokratëve. Kjo iniciativë e dy deputetëve demokratë dhe Dashamir Shehit vjen pas idesë fillestare të Spartak Ngjelës për krijimin e një partie të re, por edhe pas kërkesës së Shehit për bashkimin me LZHK-në të të gjithë personaliteteve të djathtë, që nuk gjejnë veten te programi i aplikuar nga koalicioni i djathtë që është në pushtet. Spartak Ngjela ishte i pari, që u largua nga Partia Demokratike në vitin 2006 pas përplasjeve të shumta si me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Krisja përfundimtare mes tyre ndodhi pas publikimit në media të një përgjimi mbi një debat të kryeministrit Berisha me Ngjelën në zyrën e kryetares së Kuvendit. Ndërsa deputeti Gilman Bakalli, i dalë edhe ky deputet nga listat njëemërore në zgjedhjet 2005, doli deputet i pavarur rreth 18 muaj më parë, kur akuzoi qeverinë se nuk i ka dhënë përgjigje çështjes së dëmshpërblimit të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve për kthimin e pronave të tyre. Në atë kohë Bakalli protestoi edhe për flirtimin, siç e quajti ai të kryeministrit Berisha me ish- kryeministrin Nano, që më pas nxori edhe Topin president. Nga ana tjetër, Dashamir Shehi u largua nga PD-ja së bashku me Genc Pollon dhe Tritan Shehun në vitin 1999, ku fillimisht krijuan Partinë Demokrate të Re dhe pasi iku nga kjo parti, së bashku me PLL-në krijuan LZHK-në. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007 Shehi shpalli kandidaturën për kryetar bashkie në Tiranë, por pas një marrëveshje me PD-në, ku iu premtua posti i nënkryetarit të bashkisë në rast fitoreje, u tërhoq.