E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët: Projektligji për gjyqësorin cenon pavarësinë dhe çorganizon sistemin

Nga Armand Maho

Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar dje në Komisionin e Ligjeve pezullimin e shqyrtimit të ligjit “Për administratën gjyqësore”. Kryetarja e shoqatës së gjyqtarëve, Manjola Bejleri, është shprehur dhe një herë në këtë komision, se drafti në fjalë cenon pavarësinë e gjyqësorit, duke theksuar se dispozitat dhe ndryshimet cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe i japin ministrit të Drejtësisë kompetenca të pamerituara.

I gjithë ky draft, sipas Bejlerit, ka për qëllim të verë nën kontroll nga ekzekutivi pushtetin gjyqësor dhe Shoqata e Gjyqtarëve ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e këtij drafti. Deri atëherë Bejleri kërkoi që të pezullohen diskutimet për projektligjin “Për administratën gjyqësore”, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, i pasuar dhe nga Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore. Shoqata kombëtare e Gjyqtarëve ka shprehur mendimin e saj se miratimi dhe zbatimi i projektligjit “Për administratën gjyqësore”, i cili rrjedh nga dispozita antikushtetuese të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor” në fuqi, do të thellonte jo vetëm papajtueshmëritë me Kushtetutën në cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por sjell dhe çorganizim dhe dëmtim të punës së përditshme të gjykatave.

“Për këtë arsye, ne i kërkojmë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të pezullojë procedurën e shqyrtimit të projektligjit “Për administratën gjyqësore” deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës kombëtare të Gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese. Ky veprim do të mundësonte parandalimin e veprimeve që po kryhen në shkeljen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, - tha Bejleri.

Por, tentativë për të vënë nën kontroll gjyqësorin nga ana e ekzekutivit e kanë cilësuar draftin dhe deputetët e opozitës. Relatori i çështjes, Besnik Dervishi, tha se projektligji në fjalë ka si synim centralizimin e këtij pushteti në duart e ministrit, i cili si levë të tij përdor kancelarin e gjykatës. Nga ana tjetër, sipas Dervishit, drafti në fjalë është i njëanshëm, pasi atij i mungon kontributi i gjyqtarëve, avokatëve apo noterëve. “Projektligji nuk ofron asnjë standard bazik e parimor për menaxhimin efektiv, por edhe transparent të gjykatave, por në shumë dispozita të tij vërehet haptazi një tendencë e ekzagjeruar e centralizimit të administrimit në duart e ministrit te Drejtësisë. Edhe kur një kompetencë nuk është drejtpërdrejt e ushtruar nga ministri, ajo ushtrohet nga kancelari i gjykatës, i emëruar i ministrit, pa asnjë propozim apo konsultim nga gjykata përkatëse apo kryetari i gjykatës”, - tha Dervishi.

KLD: Shqetësim për pavarësinë financiare dhe rolin e super-kancelarit

Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh dje për të diskutuar në lidhje me projektligjin ‘Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative’. Mbledhja u shoqërua me debate, ndërsa në përfundim u theksua se nuk mund t’i dërgohen konkluzione menjëherë Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë, për shkak se projekti ka pak fare që ka mbërritur në KLD.

“U kërkua respektivisht nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, t’i jepet një kohë e arsyeshme për të transmetuar qëndrimin e tij zyrtar të konsoliduar në një takim aktiv mes anëtarëve të tij. Vëmë në dukje se nevoja për një kërkesë të tillë, lidhej me afatin e pamjaftueshëm të vënë në dispozicion të Këshillit, për të dhënë përgjigje, duke marrë në konsideratë strukturën e tij kolegjiale”, - thuhet në një njoftim të KLD.

Kështu, ditën e premte pritet një tjetër mbledhje e KLD, nga ku pritet të dalë edhe një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë projektligj.

Gjatë takimit, i cili zgjati për më tepër se 3 orë, ministri Alibeaj ka theksuar rëndësinë e projektit në funksion të mbarëvajtjes së punës administrative në gjykata. Por, mendim të kundërt shfaqën përfaqësues nga gjykatat, të cilët nënvizuan faktin se projekti fuqizon rolin e kancelarit në gjykata, duke lënë në hije kryetarin e saj që merr rol vëzhgues në administrimin e saj, nuk arrin të përcaktojë bashkërendimin e punës mes këtyre dy funksioneve. Po ashtu nuk munguan edhe deklaratat nga disa gjyqtarë që projekti cenon pavarësinë e gjyqësorit.

Shqetësimet e ngritura në takim janë pasqyruar edhe në deklaratën përfundimtare të mbledhjes, ku theksohen propozimet e parashtruara.

“Ndër propozimet për ndryshime të parashtruara nga pjesëmarrësit, u veçuan ato që lidhen me pavarësinë financiare të pushtetit gjyqësor dhe autoritetet për propozimin e projektbuxhetit të gjykatave. Në këtë pikë, u kërkua përfshirja dhe angazhimi edhe i kryetarit të gjykatës, kompetencat e të cilit nuk janë të detajuara në këtë projektligj, edhe pse ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” në nenin 18, pika 3, germa ‘g’, duket se e lë të hapur një shteg të tillë. Gjithashtu, takimi evidentoi si nevojë për ndryshim në projektligj të disa dispozitave, formulimi i të cilave mund të lërë vend për keqinterpretim, duke u kërkuar saktësimi i tyre, siç janë dispozitat mbi kompetencat e ministrit të Drejtësisë, të kryetarit të Gjykatës dhe të Kancelarit të saj”, - thuhet në deklaratën e KLD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›