E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpella 3000-vjeçare e Himarës përplas Ministrinë me kryebashkiakun

HIMARE - Punimet me fadroma pranë shpellës së Himarës, që rrezikojnë seriozisht jetën e monumentit, kanë përplasur Ministrinë e Kulturës dhe bashkinë e qytetit jugor. Një ditë pas botimit të lajmit dhe fotografive në “Gazeta Shqiptare”, kanë reaguar të dyja institucionet. Arbër Kadia, drejtor i Trashëgimisë në MTKRS, sa u takon masivëve të gurëve që po hiqen rreth shpellës, tha se zona në fjalë nuk është e mbrojtur. “Punimet që po bëhen nuk janë në zonë të mbrojtur. Ne kemi dërguar në terren specialistët tanë, të cilët po e shohin me vëmendje gjendjen. Problemi nuk qëndron te Ministria e Kulturës, por tek Bashkia e Himarës”, - deklaroi zyrtari i lartë. Nga ana tjetër, ai shtoi se subjekti që po ndërhyn në zonë nuk ka marrë leje nga institucioni që ai përfaqëson.
Për të njëjtën çështje, “GSH” ka kontaktuar me kryetarin e Bashkisë së Himarës, z.Jorgo Goro. Ky i fundit ka bërë me dije se objekti, ndërhyrja në zonën pranë shpellës së Himarës është pa leje. “Punimet pranë shpellës janë pezulluar nga ana jonë sepse kanë qenë pa leje. Ka qenë një banor që ka shtëpinë e tij pranë shpellës, që donte të hapte rrugë drejt saj”, - deklaroi Goro.
Kryetari i bashkisë, mohoi të ketë dhënë leje paraprakisht për ndërhyrjen, ndërsa shtoi se Ministria e Kulturës, që ka dërguar specialistë në zonë, duhet të shohë më shumë sesa këtë ngjarje, lejen që vetë ajo ka dhënë për të bërë restorant brenda shpellës. “Ministria kishte dërguar specialistë në terren, sapo kishte marrë dijeni për ndërhyrjen. Por, ju duhet ta dini se ajo vetë ka dhënë leje për të ndërtuar një restorant brenda shpellës”, - përfundoi Goro. Megjithëkëtë, mbetet e paqartë se sa e ka dëmtuar objektin 3000-vjeçar.
Shpella
Dje “Gazeta Shqiptare” botoi lajmin se shpella e Himarës është në rrezik, pasi fadromat po marrin ndanë saj masivë gurësh! Në një prononcim për “GSH”, arkeologu Lorenc Bejko, njëherazi ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, shprehej se monumentit të kulturës, një ndër më të vyerit në vendin tonë, me një datim rreth 3000-vjeçar, po i bëhej dëm i madh. “Fotografitë tregojnë lëvizje të vrullshme përpara shpellës së Himarës, që është një nga monumentet arkeologjike më të rëndësishme në mes të qytetit. IMK-ja miratoi një projekt të paprecedentë për ndërtimin e një lokali brenda saj. Është thjesht e pabesueshme!”, - theksonte i indinjuar Bejko. Projekti i sapopërmendur, duket të jetë pjesë e rijetëzimit të monumenteve, kaq i reklamuar si shpëtimtar i trashëgimisë shqiptare prej pothuaj dy vitesh, ndonëse ka shumë opinione që e shohin atë (rijetëzimin) si një varr modern (që u hapet monumenteve) qindra vite pas lindjes së tyre! Siç u pa edhe nga reagimi i djeshëm i MTKRS-së, asgjë nuk u tha për këtë projekt rijetëzues, shqetësimi i saj ishte vetëm për fadromat. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›