Ndoka: Duhet një muze për Nënë Terezën
Demokristianët kërkojnë nga qeveria ngritjen e një muzeu në kryeqytet për nder të Nënë Terezës. Deklarata u bë publike dje nga kreu i PDK-së, Nard Ndoka, në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës. Demokristianët kërkuan gjithashtu nga qeveria që të mbështesë botimet e mësimeve dhe librave për shenjtoren. PDK, shtoi se, me Nënë Terezën edhe në këto vite të pluralizmit politik është bërë shumë demagogji, siç ishte edhe deklarata e fundit e Kryeministrit për kthimin e eshtrave të saj në atdhe. Sipas kësaj partie, qarqe të caktuara jo vetëm kanë penguar nderimin e merituar të Nënë Terezës, por edhe kanë përjashtuar nga qeverisja mësimet dhe filozofinë kristiane, aq sa sot, komuniteti kristian nuk përfaqësohet në qeverisjen e vendit, duke imituar diktaturën dhe diktatorin që njihet për urrejtjen dhe persekutimin që i ka bërë komunitetit katolik. "Nënë Tereza ende nuk është kuptuar, vlerësuar dhe nderuar siç e meriton në vendin e saj, nga bashkatdhetarët e saj", u shpreh Ndoka.